Arrestimi i ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Dragi Rashkovski është duke nxitur një luftë verbale ndërmjet opozitës dhe pushtetit. Për këtë çështje ka reaguar sot kryetari i VMRO-së, Hristijan Mickoski, i cili ka publikuar edhe një video në të cilën janë përmbledhur deklarata të deritashme të kryeministrit Zaev, në të cilat ai flet për faktin që Rashkovski ishte pjesë e Qeverisë, shkruan Tv SHENJA.

Kreu opozitar në publikimin e tij në Facebook, shkruan se Zaev e dinte qartë se kush prej bashkëpunëtorëve të tij kishte keqpërdorur paratë e shtetit, duke aluduar tek Rashkovski, i cili po hetohet në rastit e prokurimit të softuerit për shkelje në trafik, të cilin nuk e përdor asnjë institucion, e që vlerësohet se ka dëmtuar buxhetin shtetëror me më shumë se 11 milionë denarë.

“Peshku prishet nga koka”, ka shkruar Mickoski, duke pretenduar se në krye të këtyre veprimeve është kryetari i Qeverisë dhe i LSDM-së. /SHENJA/