Nëse Donald Trump mërzitet ndopak gjatë fluturimit për në shtëpi pas Forumit Ekonomik Botëror në Dfavos të Zvicrës, ai mund të shfletojë një libër që ia dhuroi një delegat jo shumë pas mbërritjes atje: “Zoti dhe Donald Trump”. Libri, i shkruar nga Stephen Strang, një lider protestan dhe botues i revistës Charisma magazine, është një vëllim lehtësisht i lexueshëm – pjesërisht hagiografi shpirtërore, pjesërisht buletin i Fox News e pjesërisht profeci.

Ai flet shumë më pak për Trump se sa për protestanët pentekostalë karizmatikë të cilët ishin përkahësit e tij më të hershëm besimtarë dhe që tani e shohin zgjedhjen e tij si përmbushje të vullnetit të Zotit. Ky zhanër hagiografie spirituale lulëoi për herë të fundit gjatë presidencës së George W. Bush, i cili ishte subjekt i katër librave rreth fesë dhe i një dokumentari (“George W. Bush: Besimi në Shtëpinë e Bardhë”) vetëm gjatë mandatit të parë. Te Bush, autorët kishin diçka me të cilën mund të punonin. Ai kishte një përvojë rilindjeje në moshë të mesme të dokumentuar mirë, ishte frekuentues i rregullt i kishës në Teksas dhe fliste për Zotin e Jezu Krishtin në një mënyrë që tingëllonte e natyrshme.

Megjithatë, shkrimtarë si David Aikman shpesh përdorte intuitën për besimin e Bushit dhe paraqiste si fakt përkushtimi të thellë spiritual pëlqimin e tij për ushqime të shëndetshme (a nuk i udhëzon Bibla besimtarët ta trajtojnë trupin e tyre si tempull të Zotit?) dhe sjelljen e stafit të Shtpisë së Bardhë (“ndonëse sjellja nuk është e lidhur specifikisht me besimin fetar privat të George W., dukej sikur disiplina që ai vendosi mbi jetën e tij si besimta dhe studimi i Biblës u filtruan në zakonet e punës së secilit që punonte me të”). Por nëse Aikman dhe të tjerët duhej të zgjateshin ca për të plotësuar një libër për Bushin dhe fenë, subjekti i tyre ishte praktisht Shën Françesku i Assisit krahasuar me përdoruesin aktual të Zyrës Ovale. Strang, i cili u ul pak me Trump gjatë fushatës por pa e intervistuar për librin, urtësisht përdor pak kohë për të hyjnizuar pikëpamjet dhe përkushtimet personale fetare të presidentit – megjithëse ia kushton një kapitull argumentimit që fëmijët e Trumpit janë “një pasqyrim i vlerave të tij thelbësore”, ndërsa tri martesat dhe marrëdhëniet e shumta të pranuara nuk janë pasqyrim i ndonjë gjëje që ia vlen të përmendet.

Përkundrazi, Strang përpiqet të shpjegojë pasionin e fortë ungjillor të Trumpit dhe hap një dritare në botën e karizmatikëve, një grup i kristianëve ungjillorë që besojnë se Zoti ende u flet njerëzve përmes profecive dhe është ende i angazhuar aktivisht në rregullimin e botës së çështjeve njerëzore. Që herët në kandidaturën presidenciale të Trumpit, përkrahësit më të mëdhenj besimtarë – madje të vetmit për njëfarë kohe – ishin kristianët karizmatikë si pastorët Paula White e Darrell Scott. Ata tërhiqeshin nga Trump dhe ai prej tyre, për shkak të përqafimit të gospelit të begatisë. Shpeshherë i referuar edhe si teologjia e “shëndetit dhe pasurisë”, ky gospel thotë se Zoti e shpërblen besimin me shëndet e sukses financiar. Sipas kësaj logjike, një miliarder si Donald Trump, pavarësisht nëse pasuria e tij vjen nga trashëgimia, mashtrimet apo ndonjë fuqi e lartë, duhet të jetë njeri shumë besimtar. Besimtarë të tjerë konservatorë, argumenton Strang, e përkrahën Trumpin më 2016 për arsye familjare për çdo shikues të Fox News: frika nga globalizmi, manipulimet, ish-bashkëpunëtori i nazizmit George Soros, vjedhje votash në shkallë të gjerë. Ata e pëlqenin Trumpin sepse ai thoshte që edhe ai i pëlqente ata, u thoshte që ishin të persekutuar dhe premtoi të ngrihej për ta. Ai tha se do të kthente “Krishtlindjet e Gëzuara”. U tha që ato ishin të rëndësishme. Por kishte edhe arsye të tjera, më spirituale. Strang tregon një numër karizmatikësh që patën vizione – ose që deklaruan më pas se kishin pasur vizione – që Trump një ditë do të fitonte Shtëpinë e Bardhë.

Një burrë i shenjtë katolik, me emrin Thomas Zimmer, i cili e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës në Itali, deklaroi se kishte marrë një profeci në vitet ’80 që thoshte se Trump “do të udhëhiqte Amerikën në rrugën e kthimit te besimi”. Dhe libri është i mbushur me dëshmi pas dëshmie nga liderë kristianë që u mahnitën teksa e panë veten përkrahës të Trumpit më 2016, me secilin prej tyre që deklaon se ai ishte zgjidhja e fundit fare për ta, deri sa fitoi emërimin Republikan. Në fakt, ndërsa disa kristianë konservatorë flasin për fitoren e Trumpit kundër Hillary Clinton si vepër e Zotit, duket se ndërhyrja e vërtetë hyjnore ishte hapja e rrugës për Trump brenda Partisë Republikane. Mendimi i pashprehur nga secila nga figurat fetare që iu referohet Strang ishte se Zoti dëshironte një president Republikan, kështu që, nëse Trump siguroi nominimin Republikan, atëherë si rrjedhojë ai duhej të ishte i zgjedhuri i Zotit. Dhe sa më pak gjasa të kishte përzgjedhja, aq më e madhe ishte prova për ndërhyrjen “nga lart”./The Politico