Ish-ministri i Jashtëm Tritan Shehu i cilëson deklaratat dhe mesazhet që zv/ministri i Jashtëm Genc Cakaj ka dhënë në Preshevë si përçarëse dhe të gabuara për shqiptarët që jetojnë në Serbi.

Në një reagim në Facebook, Shehu shprehet Cakaj ka shkuar të takojë shqiptarët në Serbi duke u prezantuar mesazhet e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

“Zv. Ministri Cakaj si përçarësi i shqiptaret ne Presheve, por pritet aty siç e meriton! Ai gjatë qëndrimit aty, jo vetëm që nuk bën bashkë shqiptarët e atyshëm, jo vetëm që nuk dialogon me të gjithë faktorët lokale, por përkundrazi përpiqet t’i ndajë dhe coptojë për interesat e të tjerëve. Qartazi Cakaj shkoi aty me mesazhet e Vuçiçit, sikur të ishte i dërguari i tij në këto momente shume të rëndësishme vendimesh politike për shqiptaret e atyre trojeve, kur Tirana duhet t’i mbështesë plotësisht në kërkesat e tyre të drejta, duke i bashkuar ata”,- deklaron Shehu.

Shehu ka publikuar dhe parullat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për zv.ministrin, në të cilat shkruhet: “Ministër, rruga jonë është Tirana dhe Prishtina, Lugina do zgjidhje, jo zegjedhje!”.

Tritan Shehu shprehet se “në këtë mënyrë ai (Cakaj) vazhdon skenarin e nisur në Tiranë me perfaqësitë e atyre trojeve, skenar që e ka vënë atë dhe urdhëruesit e tij në Tiranë e Prishtinë në rolin e “komardares” se shpëtimit për Vuçiç. Por dhe pritja nga shqiptarët aty ishte një përgjigje e qartë dhe direkte distancimi e përbuzje nga ky skenar e autorët e tij, Cakaj & Co”.