Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se ende nuk kanë marr ndonjë përgjigje nga prokuroria për rastin e vdekjeve të pacientëve me COVID-19, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), respektivisht në Klinikën Infektive.

Zemaj në një konferencë për media tha se nuk përzihet në punën e prokurorisë, por siç tha ai kërkon që të dalin sa më shpejt me një përgjigje.

“Qytetarët dhe të gjithë ne, veçanërisht familjarët e viktimave duhet ta dinë të vërtetën. Nuk përzihem në punën e prokurorisë, është punë e tyre. Ajo çka kërkoj është që ata të dalin sa më shpejt me raport konkret, ta informojnë ministrinë, menaxhmentin e shërbimit spitalor dhe të jemi të njoftuar në detaje, nëse ka ndonjë element të veprës penale apo jo”, ka thënë Zemaj.

Ministri Zemaj po ashtu komentoi edhe shkarkimin e ish drejtorit të ShSKUK-së, Basri Sejdiu.

Ai tha se vendimi nga bordi i ShSKUK-së është për tu përshëndetur.

“Shkarkimi i Sejdiut është vendim për tu përshëndetur. Do jemi transparent dhe do kërkojmë transparencë të plotë për qytetarët tanë. Në ditët në vazhdim do të bëjmë publike dhe vendime tjera konkrete”, ka thënë Zemaj.

Ai po ashtu tha se si ministër ka kërkuar raport nga të gjitha hallkat institucionale për rastit e ndodhur në QKUK.

“Si ministër kam kërkuar e raport nga të gjitha hallkat e rastit. Nuk duhet të ngutemi në deklarime politike, dhe të lejojmë drejtësinë të bëj punën e saj”, ka thënë ndër të tjera ministri Zemaj.