Ministria e Kulturës ende po i shqyrton projektet e dyshimta të programit vjetor. Shqyrtimi i brendshëm pritet që të zgjatë deri në fund të javës, pas çka do të informohen edhe vetë projektantët me vendimet që do të dalin nga analiza.

Të njëjtët kanë të drejtë që vendimin e Ministrisë së Kulturës për anulim eventual ta paraqesin në Komisionin e Shkallës së dytë në afat prej 15 ditësh. Burime nga Ministra e Kulturës bëjnë të ditur se bëhet fjalë për 5 deri në 10 projekte që dyshohen për konflikt të interesit, nepotizëm dhe parregullsi gjatë ndarjes së fondeve.

Ndërkaq vet ministri Allagjozovski ditë më parë kërkoi përfshirjen e Komisionit Anti-korrupsion dhe Prokurorisë Publike për zbardhjen e keqpërdorimeve eventuale ne ndarjen e fondeve për projektet kulturore të programit vjetorë. Në lidhje me skandalet e keqpërdorimit të fondeve, nepotizmit dhe konfliktit të interesit gjatë miratimit të projekteve kulturore shqiptare, kanë reaguar edhe partitë politike.

Më të zëshmet kundër kësaj dukurie ishin VMRO-DPMNE-ja dhe Aleanca për Shqiptarët. Të dy subjektet kërkonin tërheqje të plotë të programit, të cilin ata e quanin “Skandaloz”.