Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale sot e prezantoi reformën në mbrojtjen sociale dhe të fëmijëve në Maqedoni. Nevoja për reformën si dhe efektet e pritura nga zbatimi i saj që duhet të fillojë nga viti i ardhshëm, Carovska e elaboroi para ekspertëve nga 42 vende-anëtare të AD HOK Komitetit për romë.

“Me reformën vendosim program për të ardhura të garantuara minimale, që do të mundësojë mbështetje financiare për të gjithë personat që jetojnë nën linjën e varfërisë. Qëllimi i kësaj të ardhure është që t’u sigurojmë mjete të mjaftueshme për jetë dinjitoze, t’i inkuadrojmë në shoqëri, por edhe të punojmë në aftësimin e tyre për punësim të përhershëm. Luftojmë edhe kundër varfërisë fëmijërore, për shkak se çdo fëmijë për ne është i rëndësishëm. Vendosim shtesë për fëmijë dhe për arsim, ndërsa të drejtë për këto kompensime përveç shfrytëzuesit e të ardhurave të garantuara minimale do të kenë edhe amvisëritë me të ardhura minimale”, tha ministrja Carovska.

Ajo, siç njoftoi Ministria, në Strasburg kishte takim pune me zëvendës-sekretaren e përgjithshme të Këshillit të Evropës Gabriela Bataini Dragoni. Në takim është biseduar për aktivitetet e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale të lidhura me integrimin e romëve, si dhe për pjesën më të madhe të rregullativave ligjore në kompetencë të MPPS-së.

Bataini Dragoni i përshëndeti përpjekjet që Qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale i bën për përmirësim të mbrojtjes sociale dhe të fëmijëve dhe shprehu mbështetje për ndihmë teknike për skrining procesin në pjesën e çështjeve sociale.