Monako ndoshta është shteti i dytë më  i vogël në botë për nga madhësia, por është një nga vendet më të pasura në botë. Aty ka shumë milionerë.

Megjithatë në një hapësirë prej dy kilometra katrorë jetojnë shumë njerëz, e pikërisht për këtë konsiderohet si i mbipopulluar edhe pse i ka vetëm 39 mijë banorë, transmeton Telegrafi.

Hapësirat për shtëpi dhe apartamente të reja mungojnë, e shtëpitë e ndërtuara nëpër shkëmbinj janë zgjidhje e përkohshme që banorët e këtij vendi nuk e praktikojnë edhe aq shumë.

Pikërisht për këtë princi Albert II i ka dhënë dritën e gjelbër projektit që do ta zgjeronte bregun. Në këtë “parajsë” banorët ballafaqohen me mungesë të pronave të paluajtshme për 2,700 milionerët, që gjatë 10 viteve të ardhshme pritet të ndërrojnë lokacion.

Projekti parasheh që portit Kouv t’i shtohen gjashtë hektarë në hapësirën ekzistuese. Në këtë hapësirë do të mund të ndërtohen 120 shtëpi luksoze.

Punimet tashmë kanë filluar, duke hedhur rërë në det dhe ndërtuar blloqe të betonit për ta zgjeruar bregun dhe ndërtuar prona të reja private.

Në vitit 2025, porti Kouv pritet të duket krejtësisht ndryshe, e në afërsi të këtij vendi gjendet kazinoja e njohur ku shumë filma të James Bondit janë incizuar.

Aty do të jenë të disponueshme apartamentet dhe vilat, e çmimet aktuale të një prone të paluajtshme në Monako sillen nga 45 mijë euro për metër katror, e duke marrë parasysh se ka mungesë të hapësirës për ndërtim çmimi mund të shkoj në 90 mijë euro.

Nëse dikush shpreh interesim që të jetoj në Monako, duhet të posedojë lejen për banim, të hap llogari bankare në Monako dhe të depozitojë të paktën 500 mijë euro dhe do të detyrohet të qëndrojë në Monako për të paktën 6 muaj në vit.