Ekspertët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, nuk kanë dalë në vendin e ngjarjes për t’i mbledhur mostrat për kryerjen e ekspertizave për dheun dhe armët, por të njëjtat ua kanë dërguar eprorët policorë në laboratori për t’i analizuar. Kjo u tha sot në seancën gjyqësore për rastin “Monstra” ku ekspertët nga MPB-ja, i elaboruan ekspertizat e bëra për baltën e gjetur në veturën Opel Omega dhe gëzhojat e mbetura nga të shtënat në Liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012, njofton Portalb.mk.

Ekspertët nga Ministria e Punëve të Brendshme sot i kanë elaboruar ekspertizat e bëra në rastin “Monstra” për dheun dhe armatimin. Ekspertizat janë bërë nga MPB-ja për nevojat e gjykimit të parë për t’u parë gjendja faktike e dëshmive.

Snezhana Nikollovska, nga Laboratoria Kimike e MPS-së, sot deklaroi se ka kryer analizë të mostrave të marra nga balta që është gjetur “Opel Omega” me të cilën veturë, sipas aktakuzës vrasësit kanë ikur nga vendi i ngjarjes dhe mostrave të marra nga dheu i vendit të ngjarjes, gjegjësisht nga disa lokacione, afër trupave të të vrarëve.

“Mora dhe nga disa lokacione dhe më pas të njëjtat i krahasova me baltën prej veturës. Balta nga vetura dhe dheu prej njërit të trupave janë të ngjashme sipas ngjyrës, përbërjes elementare dhe madhësisë së grimcave”, tha Nikollovska.

Sipas asaj që tha Nikollovska, ajo vetë ka dalë për t’i marrë mostrat e dheut në Vrazhimir, pra në vendin ku është gjetur “Opel Omega”, megjithatë mostrat nga Liqeni i Smillkovës, vetëm ia kanë sjellë për t’i analizuar, pra s’ka qenë në vendin e ngjarjes.

Nga ana tjetër, krim-tekniku Nexhat Muriq, i cili e ka kryer ekspertizën e armatimit, deklaroi se nga materialet që ia kanë dorëzuar për ekspertizë, del se në Liqenin e Smillkovës është gjuajtur me disa lloje të armëve, ndërkaq analiza ka treguar se njëra prej gëzhojave të gjetur në Liqenin e Smillkovës është e ngjashme me njërën nga gëzhojat që është gjetur në vitin 2009 në Belimbegovë, ku i dënuar është i akuzuari në rastin “Monstra”, Fejzi Aziri.

“Në laboratori na kanë ardhur 21 gëzhoja, 8 projektile dhe dy pjesë të projektileve. Sipas analizës, 13 gëzhojat janë shtënë nga pushkë 7.62 milimetra (të cilat mund të jenë Kallashnikovë, automatik dhe gjysmë-automatik, dhe 8 nga pistelë 9 milimetra. Njëra prej gëzhojave që është gjetur në Liqenin e Sillkovës është e ngjashme me njërën prej gëzhojave që është gjetur në vitin 2009 në fermën Belimbegovë”, tha Skuliq.

Ndaj kësaj ekspertize pala mbrojtëse ka reaguar pasi që sipas tyre, ekspertët nuk kanë dalë vetë në terren që t’i marrin mostrat, ndërkaq gjithashtu problematike është edhe gëzhoja e cila theksohet se është e ngjashme me atë në Belimbegovë.

“Sot jemi dëshmitarë se rasti “Monstra” nuk është montuar nga MPB vetëm me dëshmitarin e mbrojtur dhe automjetin, por edhe me kryerjen e ekspertizave të dheut dhe armës e cila është shfrytëzuar në Liqenin e Smillkovës. Është dyshuese mostrat e dorëzuara, gjegjësisht gëzhojat nuk dihet se kush i ka dorëzuar për ekspertizë në MPB, me çka ngritet dyshim se gëzhojat se gëzhoja kontestuese për të cilin thonë se është i ngjashëm me atë të Belimbegovës është futur nga MPB. Nga ana tjetër, në fotografinë numër 13, ku ka tre gëzhoja në një vend, nuk është e mundur që dy të mos jenë të njëjtë me ato të Liqenit të Smillkovës, ndërkaq njëri të jetë i njëjtë. Këtu paraqitet dyshimi se njëri nga gëzhojat është i nxjerrë nga depoja e MPB-së dhe është vendosur me të tjerët”, tha avokati Naser Raufi.

Sipas palës mbrojtëse, ekspertët është e mundur që ta kenë kryer punën e tyre siç duhet, por është dyshuese se ata vetë nuk i kanë marrë nga vendi i ngjarjes mostrat, por edhe veç asaj nuk dihet se kush ua ka dorëzuar mostrat për analizë.

Ndryshe, seanca e radhës do të mbahet më 26 tetor, gjegjësisht të premten e ardhshme, ku edhe gjatë asaj seance pritet që të vazhdohet me elaborimin e ekspertizave. Pas kësaj, pritet që të thirren për dëshmi mjekët e mjekësisë mjeko-ligjore.

Ndryshe, paraprakisht, prokurorët, trupi gjykues, por edhe të akuzuarit dhe opinioni kanë marrë pjesë në ekspertizën publike që i është bërë veturës “Opel Omega” që sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë lëvizur me të njëjtën pas vrasjes. Tekniku i MPB-së, pasi e hapi veturën, vërtetoi se është po ajo e njëjta që është gjetur dy ditë pasi ka ndodhur vrasja.