(post festum)

Pasi mbaruan zgjedhjet parlamentare në MV partitë politike shqiptare të cilat kanë vendosur të bëhen pjesë e qeverisë janë duke u marrë më shumë me ndarjen e kulaçit sesa me ndarjen e përgjegjësive.
Shqetësimi që ngrejnë shumë aktiviste sot është se ato ndihen të mospërfillura dhe të neglizhuara pas gjithë asaj fushate mundi dhe djerse për ”partinë mëmë” që nuk i bën ”hesap” aktivistet e saj.

Për më tepër me qëndrimet e tyre neglizhente ndaj aktivisteve femra shqiptare ata kanë harruar shumë shpejtë kontributin e tyre para dhe gjatë fushatës në mbarë vendin dhe sidomos në qendrën e madhe shqiptare siç është Tetova.

Të gjithë ata burra me mustaqe dhe pa mustaqe të majës së piramidës në partitë politike shqiptare me qëndrimet e tyre duan t’u thonë pas zgjedhjeve aktivisteve femra atë që nuk thuhet sipas një shprehje me shpoti që thotë : ”Pasi kaluam lumin të dhj… kalin”, si shpërblim denigrues për ato qindra aktiviste në mbarë vendin të cilat u përdorën si karrem për të vjelur votat e mijëra femrave jo aktiviste në të gjitha qendrat me shumicë shqiptare.

Pikërisht për këtë rast na vjen në ndihmë dhe shprehja popullore që thotë: ”O Mete për vete”, fjalë e urtë kjo që tregon gjithçka për karakterin dhe ndjeshmërinë e partive politike shqiptare kur bëhet fjalë për ndarjen e përgjegjësive dhe të kulaçit.

Mijëra aktiviste femra kontribuan në vjeljen e votave për partitë e tyre që sot këta liderucë të pushtetit dhe të qeverisë së koalicionit kapërdisen si fitimtarë falë edhe kontributit të aktivisteve ”tentene” të Tetovës dhe më gjerë.
Ndaj, ndarja edhe marrja e përgjegjësive nuk ndodhi vetëm me aktivistet dhe kontribueset e fushatës zgjedhore por vetëm me ndarje të pamerituara dhe të pabarabarta të përgjegjësive vetëm për majën e piramidës partiake.

Gjithsesi, zgjedhjet lokale po afrohen dhe siç bëjnë të ditur shumë nga këto zëra të anashkaluar nga ”nëna parti” që duan të mbeten anonim, se në garën e radhës nuk më që mundi i tyre t’ju ”vejë për dhjam qeni”, por do kërkojnë më shumë llogaridhënie si kundërpërgjigje e moszbatimit të meritokracisë ndaj aktivisteve të tyre.

Medai Shaholli