Asociacioni qytetar MOST ka mbajtur pres konferencën e parë për media ku informoi për disa parregullsi të vogla, por pa probleme të regjistruara gjatë hapjes së kutive të votimit, përcjell Portalb.mk.

Votimin MOST do ta ndjekë me më shumë se 1.500 vëzhgues. Në 1,160 vendvotime të zgjedhura sipas një shembulli të rastësishëm dhe reprezentativ, do të vendosen po aq vëzhgues, me çka do të mbulohen 33% të numrit total të vendvotimeve të Republikës së Maqedonisë.

Vëzhguesit e MOST janë statik dhe gjatë tërë ditës do ta përcjellin procesin e votimit. Përveç kësaj, MOST do të ketë edhe ekipe mobile, të përbërë prej 2 vëzhguesve, që do të shërbejnë për mbështetje logjistike për vëzhguesit statikë dhe do t’i vëzhgojnë kohë pas kohe vendvotimet në të cilat MOST nuk ka vendosur vëzhgues statik.

Përveç kësaj, 80 vëzhgues do ta vëzhgojnë punën e komisioneve komunale zgjedhore, ndërsa do të vëzhgohet edhe puna e Komisionit shtetëror zgjedhor.

Sipas informacioneve nga vëzhguesit dhe koordinatorët regjional, të gjitha vendvotimet janë të hapura, materiali votues është shpërndarë në të gjitha vendvotimet.

Deri më tani janë vërejtur disa parregullsi edhe atë në vendvotimin (GM) 0631, fshati Pribilci, komuna Demir Hisar, në hyrje të objektit ka grafit me përmbajtje ofenduese. Në komunën e Strumicës në vendvotimin 1767, votimi është ndërprere për rreth 50 minuta për shkak se nuk kanë funksionuar UV llambat, pas intervenimit votimi ka vazhduar nga ora 8.30.

Gjatë ditës, qytetarët të cilët duan të raportojnë parregullsi të mundshme ose të japin informacione lidhur me procesin e votimit, të njëjtën mund t’a bëjnë përmes linjës telefonike pa pagesë 080 080 080.

Bluzat e verdha me krahë të shkurtra, të cilat në pjesën e përparme në anën e majtë kanë logon e MOST dhe është shënuar “Referendumi 2018“, autorizimet nga MOST dhe akreditimet nga KSHZ-ja, të vendosura në vend të dukshëm, do të jenë shenjë njohëse për qytetarët të cilët si vëzhgues vendas janë pjesë e ekipit për vëzhgim i Asociacionit qytetar MOST. Shenjat dalluese të vëzhguesve këtë vit dallojnë nga ato të viteve të kaluara. MOST thekson që vëzhgues i kësaj organizate është vetëm ai qytetar i cili mban bluzë, autorizim dhe akreditim vetëm për këtë referendum.