Në kumtesën e Ministrisë për punë të brendshme të Maqedonisë thuhet se është e gatshme për kyçje dhe pjesëmarrje aktive në planifikimin dhe zbatimin e reformave të domosdoshme, në pajtim me prioritetet e Qeverisë për fillimin e procesit të reformave që do të mundësojë përforcim të kapaciteteve të institucioneve, kthimin e vlerave demokratike dhe respektimin e përpiktë të tyre.

“Duke pasur parasysh kompetencat e gjëra të Ministrisë së Punëve të Brendshme, është pjesëmarrës edhe në aktivitetet për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, përforcimin e kontrollit mbikëqyrës në Kuvend, përforcimin e bashkëpunimit me sektorin qytetar si dhe reformave në sistemin e drejtësisë. Më saktësisht, MPB merr pjesë në grupet e punës për përgatitjen e Propozim-ligjit për mbrojtje të dëshmitarëve dhe Ligjit për mbrojtje të privacisë, të cilat janë nën kompetencë të Ministrisë së drejtësisë.”, thuhet në kumtesën e MPB.

Në lidhje me reformat në shërbimet e zbulimit nga MPB thonë se nga gjashtë masat e parapara, tre janë zbatuar plotësisht dhe tre të tjerat janë në fazë të përparuar dhe do të përfundojnë në afatin e planifikuar.