Ministria e Brendshme ka ndaluar dy persona që dyshohen se mund të jenë të përfshirë në sulmin me koktej molotovi ndaj Shtëpisë së Alfabetit në Manastir.

“Janë kryer bastisje në dy lokacione dhe se janë thirrur në biseda dy persona, për të cilët ka dyshime se janë sulmuesit e këtij muzeu në ditën e 7 marsit. Në shishet e koktejeve të molotovit janë gjetur gjurmët e gishtave dhe se MPB po kryen ekspertizën”, informoi ministri i brendshëm, Agim Nuhiu.

Sipas tij, policia do të rris patrullimet rreth muzeut, xhamive dhe objekteve të tjera, që kanë qenë cak i sulmeve gjatë protestave apo gjatë periudhave të krizave politike. (INA)