Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, ka reaguar pas lajmit se një shtetas turk, i arrestuar në Shkup si i dyshuar për tregti me drogë, ka bartur edhe pasaportë kosovare.

Në këtë njoftim, MPB-ja thotë se Sedat Peker nuk është shtetas i Republikës së Kosovës, por se i njëjti ka vetëm leje qëndrimi të Kosovës.

“Ministria e Punëve të Brendshme mund të konfirmoj se personi në fjalë nuk posedon pasaportë kosovare, siç është raportuar, por i njëjti posedon vetëm leje qëndrimi të përkohshëm, në emër të një biznesi të regjistruar në Prizren, nga viti 2014 dhe të vlefshëm deri më 29/12/2021”, ka thënë MPB-ja.

“Mund të ju informojmë se z. Peker, ka hyrë në Republikën e Kosovës në mënyrë të ligjshme me datë 18/01/2021 dhe ka dalë nga Republika e Kosovës në drejtim të Republikës së Shqipërisë me datë 20/01/2021”, ka theksuar më tej kjo Ministri.

Mediat në Maqedoninë Veriore dje raportuan për këtë rast, duke thënë se Peker është arrestuar, ndërsa është dëbuar për në Kosovë pasi i njëjti ka shtetësi edhe të Kosovës. /Zëri