Kemi dëshmi të pakontestueshme se personi F.S. është autor i vrasjes së Martin Janushev, informoi sot ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski gjatë vizitës së SPB Shkup.
“Është dorëzuar kallëzim penal, ndërsa hyjnë në fuqi edhe masat e tjera të cilat duhet të ndërmerren siç është fletarrestimi ndërkombëtar etj. për ta siguruar personin dhe për zbardhjen e plotë të rastit”, tha Spasovski.
Shtoi se ka indikacione për vendin ku ndodhet autori dhe për momentin MPB është orientuar drejt zbulimit të tij.

Ish-futbollisti Martin Janushev u vra më 3 nëntor të këtij viti me disa plumba para hyrjes së ndërtesës së tij në rrugën “Vlladimir Komarov” në lagjen Aerodrom të Shkupit.
Një pjesë e mediave ndërkohë publikuan se pas vrasjes së Janushev qëndron 23-vjeçari Filip Sekullovski, i cili ka vuajtur dënimin gjashtëvjeçar me burg për tregti dhe posedim të drogës. Sekullovski, fundjavën kur u krye vrasja ka qenë i liruar për fundjavë të lirë, por nuk është kthyer në burg. Drejtoria për sanksione atëherë konfirmoi se Sekullovski nuk është kthyer nga fundjava e lirë dhe prandaj është shpallur fletarrestim për të.