8 C
Tetovo
E enjte, 8 Tetor, 2026
BallinaLajmeMaqedoniMucunski sot në Sofje me ministren bullgare: Shkupi kërkon zhbllokimin e rrugës...

Mucunski sot në Sofje me ministren bullgare: Shkupi kërkon zhbllokimin e rrugës drejt BE-së

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë, Timço Mucunski, sot në Sofje do të zhvillojë takim zyrtar me ministren e Jashtme të Bullgarisë, Velislava Petrova Çamova. Takimi është planifikuar në kuadër të një konference ndërkombëtare ministrore kushtuar projektit strategjik infrastrukturor, Korridorit Pan-Evropian 8.

Pasi javën e kaluar, gjatë vizitës së saj në Maqedoni, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, rekomandoi komunikim me autoritetet bullgare për tejkalimin e mosmarrëveshjeve lidhur me ndryshimet në Kushtetutën e Maqedonisë, ministri Mucunski menjëherë kërkoi takim zyrtar me homologen e tij bullgare. Pas disa ditësh pritjeje, pala bullgare dje, përmes një note diplomatike, konfirmoi se bisedimet do të zhvillohen.

Nga pala maqedonase pritet që përmes dialogut të drejtpërdrejtë, në frymën e vullnetit të mirë dhe respektit të ndërsjellë, të krijohen mundësi për zhbllokimin e rrugës së integrimit evropian. Në këtë drejtim theksohet nevoja për një zgjidhje të qëndrueshme, e cila nuk do ta ekspozojë sërish procesin e anëtarësimit ndaj kushteve të reja dypalëshe.

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se qëndrimi i Maqedonisë mbetet i orientuar drejt marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe tejkalimit të ngërçit vetëm përmes dialogut aktiv politik. Presidentja bullgare Ilijana Jotova, nga ana tjetër, rikujtoi se Sofja është kundër trajtimit të procesit të integrimit si një çështje ekskluzivisht dypalëshe.

Në Bruksel po zhvillohet debat mbi iniciativat e Ursula von der Leyen për zgjerimin e BE-së përmes paketës së masave për integrim gradual. Kjo kornizë parashikon që vendet kandidate të përfshihen në politika dhe tregje të caktuara të Bashkimit Evropian edhe para anëtarësimit formal. Ndërkohë, deputetët bullgarë në Parlamentin Evropian dje kundërshtuan menjëherë mundësinë e heqjes së konsensusit si mënyrë e vendimmarrjes në BE.

Për kryeministrin Mickoski, Maqedonia tashmë i përmbush dy nga tre kushtet e supozuara, përfshirë harmonizimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, si dhe reformat e paralajmëruara në sistemin e prokurimeve publike, të cilat duhet të miratohen në Kuvendin e Maqedonisë.

Komisionerja evropiane Marta Kos propozon gjithashtu reforma në mënyrën e vendimmarrjes për zgjerimin, përkatësisht parandalimin e keqpërdorimit të së drejtës së vetos nga vendet anëtare të BE-së për çështje që nuk lidhen me vlerat themelore evropiane.

- Advertisment -spot_img
Artikuj të ngjashëm
- Advertisment -spot_img

TË FUNDIT

Recent Comments