Në prag të shqyrtimit të propozim-amendamenteve për ndryshimet kushtetuese dhe propozim-ligjit kushtetues për zbatim të amendamenteve, është dorëzuar edhe një amendament tjetër për nënshtetësinë. Deputeti i LSDM-së Muhamet Zekiri, propozon që me ligjin kushtetues, sa i takon nënshtetësisë, përveç fjalëve “maqedonase / qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut” të shtohen fjalët “që nuk e përcakton ose paragjykon përkatësinë etnike të qytetarëve”.

Në nenin 2 (paragrafi 2) pika në fund të fjalës të zëvendësohet më presje dhe të shtohen fjalët “që nuk e përcakton ose paragjykon përkatësinë etnike të qytetarëve”.

“maqedonas / qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut, që nuk e përcakton ose paragjykon përkatësinë etnike të qytetarëve”

LSDM-ja, nuk e përjashton mbështetjen për precizimin e këtij neni të kushtetutës, nëpërmjet ligjit për zbatimin e amendamenteve kushtetuese.

Në kuadër të debatit publik dhe në debatet në komisionin parlamentar, janë potencuar vërejtjet në këtë drejtim. Për ne është i pranueshëm çdo përmriësim që është në drejtim të ruajtjes së identitetit maqedonas por edhe të bashkësive tjera etnike në Republikën e Maqedonisë. Do të ishte mirë nëse do të bëhej ndarje më e qartë mes nënshtetësisë dhe përkatësisë etnike, dy kategori që nuk janë të lidhura. Me një amendament të këtillë, kjo do të arrihej”- thonë nga LSDM

Ditë më parë, amendamente për ligjin kushtetues dorëzoi edhe Aleanca për Shqiptarët, njëri që kishte të bënte po ashtu me nënshtetësinë kurse tjetri me nenin e Kushtetutës i cili përcakton juridikisht se me cilat vende kufizohet Maqedonia, ku mundon Republika e Kosovës. Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi nuk komentoi përmbajtjen e amendamenteve të dorëzuara nga partitë politike, duke thënë se sa të arsyeshme janë kërkesat e tyre, do të shihet gjatë debatit.

Do të shqyrtohen në lexim të dytë, amendamentet për atë tekst. Dhe nëse një ose më shumë amendamente do të pranohen, do të jenë pjesë e tekstit të ligjit dhe teksti i plotësuar me amendamentet e mundshme që do të pranohen në procedurë, do të shkojë në seancë plenare më 9 janar”-pohoi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Afati për amendamente për ligjin kushtetues ka përfunduar të shtunën, kurse afati për amendamente për propozim-amendamentet e qeverisë do të përfundojë më 31 dhjetor. Seanca plenare për fazën e tretë të ndryshimeve kushtetuese është caktuar për më 9 janar. Amendamentetet dhe ligji kushtetues duhet të votohen me 2/3 e votave./Alsat/