Pjesëmarrësit e Klubit të liderëve të rinj, të udhëhequr nga Shoqata Multikultura, sonte organizuan natën e filmit ku përmes projektimi të filmit në një ambient të hapur, përcollën mesazhin se qytetit të tyre i mungon kinemaja.

Ideja e këtij aktiviteti lindi gjatë përgatitjes së iniciativave rinore për ngritje të vetëdijes qytetare për fenomene të ndryshme të cilat i tangojnë ata në komunitetin ku jetojnë. Të rinj nga grupe të ndryshme etnike, dhe nxënës nga të gjitha shkollat e mesme të qytetit të Tetovës sonte u bashkuan për të ngritur zërin për një jetë më të pasur kulturore në qytetin tonë.

Behar Shaqiri- koordinatori i kësaj iniciative, thotë se mungesa e një kinemaje në qytetin e Tetovës është një nga fenomenet aktuale për të cilën ne si të rinj kemi shumë nevojë.

“Mungesa e kinemasë do të thotë shumë për identitetin tonë kulturor. Hapja e një kinemaje në Tetovë, sado e thjeshtë në kushte dhe paraqitje, mbetet për ne një nevojë e kahmotshme.”

Shenoll Jakupi- pjesëmarrës i Klubit të liderëve të rinj, u shpreh falenderues ndaj shoqatës Multikultura, e cila i përkrah çdoherë në iniciativa të këtilla.

“Multikultura ndihmon në zhvillimin tonë personal dhe profesional. Aty gjen hapësirë dhe përkrahje çdo i ri që ka një ide, e cila kontribuon në zhvillimin pozitiv të komunitetit.”

Aktivitetet e projektit “ Fuqia e zërit të të rinjëve në rajonin e Pollogut“ financohen nga Bashkimi Europian në kuadër të projektit “ Ndryshime për qëndrueshmëri“, i cili implementohet nga Shoqata Konekt, Fondacioni Apollonia dhe Qendra për politika tatimore.