Departamenti i Shtetit e publikoi raportin për të drejtat e njeriut në të cilin për Republikën e Maqedonisë është vlerësuar se çështje më të rëndësishme janë të lidhura për raportet për torturë nga gardianët e burgjeve, përzierje në privatësi, dhunë ndaj gazetarëve, mungesë të pavarësisë së gjyqësisë, korrupsion dhe dhunë kundër personave nga bashkësia LGBTI.
“Qeveria ndërmori disa hapa për hetim, ndjekje dhe ndëshkim të nëpunësve të cilët kanë kryer keqpërdorime, midis të cilëve edhe nëpunës policor fajtorë për përdorim të dhunës së tepërt, por posedimi i imunitetit vazhdon të jetë problem i përhapur gjerësisht. Nga 15 prilli e deri në 15 shtator, Prokuroria Speciale, e cila i heton rastet për korrupsion në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2015, dorëzoi aktakuzë kundër 120 të akuzuarve dhe hapi shtatë hetime kundër 25 të dyshuarve. gjithashtu, filloi edhe 142 hetime preliminare për sjellje të dukshme kriminele e cila i dedikohet ose del nga përmbajtja e komunikimeve të përgjuara ilegalisht”, njofton Departamenti i Shtetit.

Në raportin për gjendjen me të drejtat e njeriut në vitin 2017 për Republikën e Maqedonisë thuhet se më 31 maj të vitit të kaluar Parlamenti ka zgjedhur Qeveri të re të kryesuar nga LSDM-ja me ç’rast është vendosur fundi i procesit disamujor të formimit të Qeverisë.

“Më 27 prill të vitit 2017, pasi shumica në Parlament e zgjodhi Talat Xhaferin për kryetar, demonstruesit e sulmuan Kuvendin që rezultoi me lëndime të shtatë anëtarëve të tij. Mediat publikuan se pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme u kanë ndihmuar demonstruesve dhe nuk e kanë realizuar detyrën e tyre që t’i mbrojnë anëtarët e parlamentit. Ministria i ndëshkoi policët të cilët nuk e kanë realizuar detyrën e tyre, duke përfshirë pushim nga puna të tetë policëve”, thuhet në raport.

Raporti konkludon se si përgjigje ndaj zgjedhjes së kryetarit të ri të Parlamentit më 27 prill, rreth 200 demonstruar përmes kordonëve policor, kanë hyrë në ndërtesën e parlamentit dhe i kanë sulmuar gazetarët dhe anëtarët e Parlamentit. Hetimi i ministrisë së Punëve të Brendshme për ngjarjet nga 27 prilli konkludoi se disa të punësuar e kanë uzurpuar pozitën e tyre zyrtare dhe nuk kanë arritur që në mënyrë adekuate t’i mbrojnë anëtarët e parlamentit dhe gazetarët. Si rezultat i hetimit, 180 policë janë marrë në pyetje, tetë janë pushuar nga puna, 43 janë suspenduar, ndërsa 70 procedura disiplinore janë në vijim.

Departamenti i Shtetit, mes të tjerash, në raportin për të drejtat e njeriut për vitin 2017 vlerëson se Njësiti për standarde profesionale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme i ka realizuar të gjithë hetimet e brendshme me informatat për forma të tjera të sjelljes joadekuate policore. Gjatë gjysmës së parë të vitit, njësiti ngriti procedurë disiplinore kundër 175 policëve dhe ngriti gjashtë kallëzime penale kundër të punësuarve në Ministri për vepra penale, duke përfshirë edhe “keqpërdorim të pozitës zyrtare”, “mashtrim” dhe “keqpërdorim gjatë kryerjes së detyrës”, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit.

“Në numrin më të madh të rasteve, gjykatat iu përmbaheshin Ligjit për procedurat për paraburgim. Selektimi dhe mungesa e gjykatave transparente që shfrytëzoheshin gjatë vlerësimit të kërkesave për paraburgim ose paraburgim gjatë gjykimeve janë problematike. Statistikat qeveritare tregojnë se të akuzuarit kanë kërkuar urdhëresa për paraburgim në pesë për qind nga të gjithë rastet. Gjykata Penale në Shkup dha 80 për qind të kërkesave për paraburgim nga ana e Prokurorisë Publike dhe Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion. Në të njëjtën kohë, gjykatat nuk aprovuan 89 për qind të kërkesave të ngjashme për paraburgim dhe masa të tjera të kujdesit të dorëzuara nga ana e Prokurorisë Speciale. Gjatë vitit të kaluar, gjykatat, gjithashtu, i hodhën poshtë kërkesat plotësuese nga Prokuroria Speciale për masa kujdesi, duke e përfshirë edhe paraburgimin shtëpiak dhe konfiskim të pasaportës”, thuhet në raport.

Raporti vlerëson se në disa raste, gjykata ka lejuar që të dyshuar nga profil i lartë të evitojnë ndjekje gjyqësore. Si shembuj janë theksuar rastet “Target” dhe “Fortesa”, Nikolla Boshkovski dhe Goran Gruevski dhe rasti me Seat Koçanin, i cili arriti ta braktisë vendin dhe ta evitojë paraburgimin. Gjykatat ndonjëherë nuk arrijnë të sigurojnë arsyetim adekuat për vazhdim, zëvendësim ose ndërprerje të paraburgimit, thekson Departamenti i Shtetit në raportin për të drejtat e njeriut që i përket Maqedonisë.

Në raportin për të drejtat e njeriut për vitin 2017 për Republikën e Maqedonisë vërehet se Ligji u mundëson të akuzuarve të komunikojnë me avokat sipas zgjedhjes së tyre, por autoritetet jo çdoherë i kanë informuar personat e paraburgosur drejtë për këtë të drejtë dhe jo çdoherë u lejojnë që të konsultohen me avokatë para se të dorëzojnë ankesë. “Ekzistojnë raste kur policia ka ftuar të dyshuar dhe dëshmitarë në stacione policore në ‘biseda informative’ pa i njoftuar për të drejtat e tyre dhe pa prezencë të këshilltarit juridik”, thuhet në raport.

Raporti vlerëson se Avokati i Popullit ka marrë dy ankesa për arrestim arbitrar, ndërsa një numër i madh i rasteve të personave të lartë nga vitet paraprake nuk janë zgjidhur për shkak të anulimit të gjykimeve.

“Gjyqësia nuk tregoi pavarësi dhe paanshmëri, ndërsa gjykatësit janë lëndë e ndikimit politik dhe korrupsionit. Rezultatet nga shumë procedura gjyqësore u paraqitën në mënyrë paracaktuar, posaçërisht në rastet kur të akuzuarit kanë pasur qëndrime ose kanë ndërmarrë aksione kundër qeverisë”, qëndron në raportin e Departamentit të Shtetit. Financimi joadekuat i gjyqësisë vazhdon t’i pengojë operacionet gjyqësore dhe efektivitetin.

Sipas raportit vjetor të Avokatit të Popullit për vitin 2016, numri i dytë më i madh i parashtresave qytetare (577 ose 15 për qind) që i ka pranuar Avokati i Popullit u janë dedikuar sistemit gjyqësor. Përfundimisht me shtatorin, Avokati i Popullit ka pranuar 363 parashtresa lidhur me sistemin gjyqësor, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut në Maqedoni./Koha.mk