Gjendja në Maqedoni mbetet kritike dhe rrezikon të reflektohet te marrëdhëniet ndëretnike. Apeli i fuqishëm vjen nga raportuesja e NATO-s për Ballkanin dhe njëkohësisht zv/presidente në Bundestagun gjerman, Ula Shmidt. Nga Samiti i NATO-së në Tiranë, gjatë prezantimit të raportit për sfidat e vendeve të Ballkanit në proceset integruese Euro-Atlantike, Shmidt theksoi nevojën e menaxhimit të tensioneve etnike dhe zgjidhjen e çështjes së statusit të Maqedonisë.

“Nëse e shikojmë situatën e përgjithshme në Ballkan, ka pasur shumë zhvillime këto vitet e fundit, por jo edhe në Maqedoni, ku në këto momente kemi një situatë kritike. I druhem konfliktit etnik që po vazhdon të rritet duke parë përshkallëzimin e situatës, kohët e fundit.. As tani nuk është vonë për të gjetur zgjidhje”, deklaroi raportueseja për Ballkanin në NATO Ula Shmidt.

Kriza politike në Maqedoni e intensifikuar muajve të fundit ishte në qendër të debateve në kuadër të samitit të NATO-s. Shmid tha se madje, në disa raste, ndërkombëtarët kanë lëshuar pe’ karshi vendeve, për hatër të evitimit të krizave të mëdha.

“Si NATO-s edhe BE-së iu desh të bënin përpjeke të fuqishme për të siguruar që proceset e integrimit të vendeve të Ballkanit të mos të ndërpriteshin pavarësisht krizave të tyre”, tha Shmidt.

Raportuesja për Ballkanin në NATO tha gjithashtu se Maqedonia duhet të bëjë përpjekje për të zgjidhur edhe çështjen e emrit me Greqinë e cila gjithnjë ka shërbyer si arsye shtesë e bllokimit të proceseve integruese të Maqedonisë.