Bashkëpunimit disavjeçar në muzikë mes Elvana Gjatës dhe Flori Mumajesit duket se i ka ardhur fundi. Lidhja më e fortë e show-bizz­it, e shoqëruar me shumë hite muzikore, por edhe me thashetheme për një histori dashurie mes tyre, duket se është ndërprerë pas klipit “Lejla”, e kompozuar nga Mumajesi, por i realizuar si produksion në një studio muzikore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të dy artistët, në intervistat e tyre kanë folur gjithmonë për ekzistencën e një dashurie artistike më shumë se njerëzore, madje i kanë dedikuar shpesh publikisht fjalë të ndjera njëri­-tjetrit, shkruan “Panorama PLUS”.

Po cila është paskuinta e historisë së këngëtares me kompozitorin e saj, liderin e studios “Threedots”?

Hera e fundit që Elvana përmendi emrin e Florit publikisht ishte në muajin prill, ku thashethemeve për histori dashurie dhe ortakëri të disa bizneseve, Elvana iu përgjigj: “Po e vërtetë, por jemi në marrëdhënie të komplikuar”.  Artistët kishin investuar paratë për biznese të përbashkëta, një hap që pritej t’i paraprinte zyrtarizimit të lidhjes së tyre, por që realisht ka ndodhur e kundërta. Në darkën private të stilistit nga Kosova, Valdrin Sahiti, Elvana si përfaqësuese e filialit të dyqanit të veshjeve “Altar” në Tiranë, ishte dhe mikpritësja e 14 grave të përzgjedhura të Sahitit.

Gjatë darkës ku do të prezantohej koleksioni më i ri i tij, me titull “La Belle Epoque”, në një moment kulmimant, ajo mori mikrofonin për të imituar disa nga këngëtaret e njohura. Kur erdhi momenti për të imituar Orinda Hutën me këngën e saj “Të dua”, Elvana rrëfeu se ka qenë pikërisht Orinda që e çoi për herë të parë në ambientet e “NRG”, ku e prezantoi me kompozitorin me të cilin ajo tha se kishte  bashkëpunuar. Elvana jo vetëm që nuk ia përmendi emrin Flori Mumajesit, por e cilësoi një ish­bashkëpunëtor, që do të thotë se ata tashmë nuk janë më si dikur.

“Kam pasur një shoqe unë kur kam qenë e vogël, filluam bashkë te NRG Radio. Në fakt, ishte ajo e cila më çoi aty, pasi punonte përpara meje me kompozitorin që unë kam punuar prej vitesh, dhe më tha: ”Hajde se do të tregoj një këngë që kemi bërë ne. Dhe ajo quhet Orinda Huta”. Kjo deklaratë e këngëtares u pasua direkt nga një shkrim i mediave online, ku treguan se Elvana mund të jetë shtatzënë nga një lidhje me një djalë jashtë muzikës (që s’është Flori), por një biznesmen që jeton jashtë Shqipërisë.

Flori zhduket nga qarkullimi, bëhet romantik dhe anulon koncertet e fundvitit 

Në darkën e Valdrin Sahitit bënë aheng me këngët e tyre dy artistët e “Threedots”, Klajdi Haruni dhe Bruno, por mungoi Flori Mumajesi, duke përforcuar faktin se gjurma e fundit e bashkëpunimit me të ishte kënga “Lelja”. Sipas burimeve tona, ai këtë sezon ka anuluar koncertet e fundvitit, pa dhënë arsye të saktë se pse. Vihet re që ai kohët e fundit është bërë shumë aktiv në rrjetet sociale, duke shfaqur anën e tij romantike, ku shpesh poston thënie dashurie, si dhe këngë, midis të cilave baladën e dashurisë që deputoi në “Kënga Magjike” “Më fjalë të vogla”.

Kolegë të afërt të Florit kanë treguar se ai nuk po e përjeton shumë mirë shkëputjen nga Elvana, periudhë që po e kalon i mbyllur në vetvete dhe duke lënë mënjanë axhendën koncertore, pikërisht në fundvit, që ka qenë gjithmonë shumë e ngjeshur dhe fitimprurëse për të. Hera e fundit kur ai foli hapur për Elvanën ishte nëntorin e kaluar, kur thoshte: “Unë dhe Elvana s’kemi kontratë”, duke lënë të kuptohej se ishin bashkë, por pa celebrim.