Një ndër pikat kryesore të Marrëveshjes së Përzhinos, e që disi u la në harresë, ishte edhe “Ndarja e shtetit nga partia”. Kjo pikë mes tjerash nënkupton që funksionarët qeveritarë të cilët do të garojnë edhe në zgjedhjet parlamentare, të mos paraqiten në aktivitete promovuese të Qeverisë dhe institucioneve të tjera shtetërore dhe lokale, raporton SHENJA.

 Siç ndodh zakonisht në Maqedoni, jo vetëm që në aktivitetet promovuese të Qeverisë marrin pjesë edhe ata që garojnë në zgjedhje, por në këto aktivitete paraqiten edhe liderët partiak, që nuk kanë asnjë funksion në pushtetin ekzekutiv në vend. Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, thotë se fatkeqësisht ky problem po vazhdon tanimë 25 vjet nga pavarësimi i Maqedonisë, edhe pse ndarja e shtetit nga partia është një nga kriteret për anëtarësim në BE dhe në NATO.

“Kur është në pushtet VMRO-ja ajo është plotësisht shteti, dhe kur vjen LSDM-ja ndodh e njëjta. Këtë shembull dhe këtë praktikë e vazhdon edhe BDI-ja, duke u munduar t’i imitojë ato, edhe ajo sillet me ato pak ingerenca që ua japin maqedonasit dhe ato mundohen të sillen se janë shteti. Kemi një argument: kur në një shtet prej te pastruesi e deri tek kryetari i shtetit është gjithçka në kthetrën e partisë, ju nuk mund të flisni për asgjë tjetër përveç se për kapje të plotë ose përputhje të plotë të partisë me shtetin”, ka deklaruar Afrim Gashi sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes BESA.

Zulfi Adili nga partia UNITETI, thotë se kjo është një pikë shumë e rëndësishme e marrëveshjes për arsye se shteti duhet të jetë i të gjithë qytetarëve, e jo i një subjekti politik, në këtë rast i BDI-së dhe VMRO-së. Megjithatë, Adili thotë se partitë në pushtet edhe më tej vazhdojnë të korruptojnë votuesin për interesa klanore e partiake, duke mos respektuar marrëveshjen që është nënshkruar nga vetë partitë në pushtet.

“Nga vetë fakti se në periudhën pasi që u arrit marrëveshja për “zgjedhje të lira, fer dhe demokratike”, shihet qartë se përfaqësues të BDI-së, edhe përfaqësues të VMRO-së që janë pjesë e kësaj qeverie diskriminuese për të gjithë qytetarët e Maqedonisë e në veçanti për shqiptarët, bëjnë hapjen e shkollave, hapin konkurse, u bëjnë manipulim klasik qytetarëve tëMaqedonisë, dhe e gjithë kjo flet për mosrespektim të njërës prej pikave kryesore të marrëveshjes, pra ndarjes së partisë prej shtetit”, tha Zulfi Adili nënkryetar i partisë UNITETI.

Ndërkohë, nga LR-PDSH thonë se marrëveshja e rinegocuar e Përzhinos nuk ka alternativë tjetër përveç se të implementohet në tërësi, por, nga kjo parti politike thonë se obstruksionet e deritanishme nga partitë nënshkruese të marrëveshjes na bëjnë të qartë se marrëveshja nuk do të implementohet.

“Në rastin konkret këtë marrëveshje e kanë nënshkruar 4 subjekte të cilat ndër vite janë kontribuuesit më të mëdhenj për mosndarjen e partisë jo vetëm nga shteti por edhe nga të gjithë segmentet e jetës normale të kësaj shoqërie. Jemi skeptikë që po këta të njëjtit do të japin kontribut në ndarjen e partisë nga shteti të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme ku besojmë që me rënien e këtij regjimi mund të fillohet me ndërtimin e një sistemi të ri i cili do të kontribuonte në përmirësimin e sistemit, përfshi këtu edhe këtë çështje!”, thonë nga LR-PDSH.

Edhe pse marrëveshja mes partive parlamentare u finalizua më 31 gusht, menjëherë në ditën e nesërme,  më 1 shtator, lideri i BDI-së dhe përfaqësues tjerë partiak u panë në evenimentin e hapjes së shkollës së mesme në Saraj, ndërsa kontestuese për partitë jashtëparlamentare janë edhe shpalljet për punësime që bëhen në ministri të ndryshme.