Rritja e kriminalitetit dhe kontrabandës në Maqedoninë e Veriut ka shqetësuar partnerët ndërkombëtarë. Duke parë se kultivimi dhe trafikimi i drogës është në rritje e sipër dhe se ky vend mund të bëhej një “Kolumbi e re” në mes të Evropës, Agjencinë Amerikane për Luftë Kundër Narkotikëve – DEA është kyçur në mënyrë direkte dhe ka marrë punët në duar të tyre për të shkatërruar çerdhet e drogës në këtë vend. Ky aktivizim direkt i një subjekti të huaj në Maqedoninë e Veriut është tregues se ndërkombëtarët nuk iu besojnë shërbimeve të policisë dhe luftës ndaj krimit të organizuar.

DEA zyrtarisht pranoi funksionimin në Maqedoninë e Veriut

Agjencinë Amerikane për Luftë Kundër Narkotikëve – DEA konfirmoi se zyrtarët e agjencisë ishin të përfshirë në hetimin e Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në lidhje me sekuestrimin e 200 kilogramëve marihuanë në të pestën nga policia. Vlera e tregut të drogës narkotike të sekuestruar në tregun e zi është gati një milion dollarë.

“Ne vazhdojmë të mbështesim Maqedoninë e Veriut në zbulimin, parandalimin dhe likuidimin e organizatave të përfshira në trafikun e drogës”, kishte thënë për mediat njëri nda Administrata e Zbatimit të Drogës (DEA) e SHBA-ve. DEA nuk dëshiroi të komentonte mbi rrjedhën e hetimit dhe mbi të dyshuarit e përfshirë në organizimin e prodhimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të barnave narkotike.

Aksioni policor u krye kur në rrugën Prilep-Rosoman, ekipet policore kapën makinën “Audi A8”, në të cilën ishte një zyrtar i lartë i policisë nga Prilep, dhe një person tjetër. Menjëherë pas kësaj, u ndalua një automjet pasagjerësh “Dacia Duster”, në të cilin u transportuan dy persona, dhe pas tyre një furgon, në të cilin marihuana ishte e paketuar në 40 kuti kartoni me 400 pako polietileni. DEA është një shërbim brenda Departamentit të Drejtësisë të SHBA.

Skandali me pasaporta false shqetësoi evropianët

Ministria e Punëve të Brendshme, më 6 prill kishte njoftuar për zbulimin e 215 pasaportave false, ndërsa paraprakisht, në një aksion policor ishin arrestuar 11 zyrtarë policorë, të përfshirë në këtë krim. Me pasaporta false ishin pajisur edhe disa persona me dosje kriminale apo drejtues të karteleve të drogës, në mesin e tyre edhe shtetas të huaj.

Afera ‘Mafia’ kishte marrë përmasa ndërkombëtare. Lëshimi i pasaportave nga Ministria e Brendshme për kriminelët botërorë, bosët e drogës, mafiozët dhe anëtarët e grupit militant, Shteti Islamik (IS) paraqet kërcënim për sistemin e sigurisë edhe të shteteve tjera…Për shkak të kësaj, pasojat mund të jenë të përmasave të mëdha për Maqedoninë e Veriut dhe qytetarët e saj.

Komisioni Evropian tashmë kishte theksuar se shkelja e sigurisë së dokumenteve personale në një shkallë të tillë siç ndodhi në Maqedoni të Veriut, kërcënon kushtin kryesor për liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit tonë. Mos përmbushja e këtij kushti rrezikon seriozisht regjimin pa viza dhe udhëtimin e lirë të qytetarëve në vendet e Bashkimit Evropian.

Zyrtarë të lartë evropianë kanë komentuar skandalin me pasaportat false duke bërë të ditur se rasti do të përfshihet në raportet e ardhshme të institucioneve të BE-së, por gjithashtu ata kanë theksuar edhe përkushtimin për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut në përballje me rastet e tilla.

Kur humb besimi, ndërkombëtarët i marrin vetë punët në dorë

Maqedonia e Veriut është bërë anëtare e 30-të e NATO-s dhe çështja e sigurisë është pika kryesore që trajtohet në mesin e partnerëve ndërkombëtarë. Besueshmëria e informacioneve, pra ajo që diskutohet brenda vendeve partnere është e shenjtë dhe si rrjedhojë edhe veprimet në çështje të sigurisë janë tepër të rëndësishme. Në këtë drejtim Maqedonia e Veriut dëshiron të bëhet edhe anëtare e Bashkimit Evropian, prandaj në çështje të sigurisë dhe besueshmërisë së informacionit është pjesa ku shteti duhet të përgatitet ekstremisht mirë. Skandalet e fundit me pasaporta false, përfshirja e zyrtarëve të lartë policor në kontrabandimin e marihuanës dhe lëndëve të tjera narkotike, e së fundmi edhe mos dhënia e certifikatave të sigurisë nga ana e NATO-s për shumë persona nga Maqedonia e Veriut ka vënë alarmin te ndërkombëtarët.

Si shtet partner i organizatave ndërkombëtare, Maqedonia e Veriut nuk guxon të bëhet çerdhe e bosëve të krimit, por duhet t’iu përmbahet standardeve të sigurisë dhe besueshmërisë së informacionit. Përfshirja e DEA-s amerikane, kërcënimi nga BE-ja për çështjen e pasaportave dhe klasifikimi i informacioneve nga ana e NATO-s, ka bërë që të humbë besueshmëria në institucionet e Maqedonisë së Veriut. Prandaj në raste të tilla, ndërkombëtarët kur e shohin se po rritet rreziku nga këto dukuri negative, i marrin vetë punët në duart e tyre dhe veprimet ishin siç ata që u cekën më lartë.

Prandaj, kjo nënkupton se Maqedonia e Veriut duhet të bëjë reforma të thella në sistemin e sigurisë, të rrjedhjes së informacioneve, të kontrollit në polici dhe në gjyqësor, e kjo bëhet në veçanti duke zbatuar një kontroll të fuqishëm dhe detajuar të vettingut. Populli thotë “kur thyhet buka, vështirë të ngjitet”, ngjashëm është edhe me besueshmërinë, kur humbet besimi, duhet kohë dhe shumë prova që ai të ndërtohet. Andaj, institucionet vendase duhet të punojnë fuqishëm, me prova e veprime konkrete kundër luftës ndaj krimit që ta kthejnë besueshmërinë tek partnerët ndërkombëtarë.