Nuk ka nevojë për zgjedhje të reja parlamentare e as klimë të përshtatshme politike për një gjë të tillë. Ato vetëm mund ta thellojnë edhe më shumëkrizën politike, theksojnë ambasadorët e huaj në vend. Ambasadori holandez, Wauter Plomp dhe ambasadori suedez, Mats Stafanson ndër tjerash theksojnë se është akoma herët për një “Përzhino 3”, respektivisht një takim liderësh me përfaqësues ndërkombëtar, veçanërisht për shkak se rezultati i zgjedhjeve të dhjetorit që buron nga Përzhino 1 dhe Përzhino 2 akoma nuk është respektuar.

 Unë do të shihja vetëm pak dobi nga një raud tjetër i zgjedhjeve kaq shpejtë pas zgjedhjeve në dhjetor. Mendoj se ato kryesisht do ta prolongonin krizën politike, që edhe ashtu tashmë ka zgjatur shumë gjatë. Sa i përket pyetjes tuaj për ndërmjetësim, Përzhino ka marrë shumë kohë, ka prodhuar rezultatin e zgjedhjeve të dhjetorit. Është shumë herët për Përzhino 3, do të thoja që së pari të shohim në rezultatin e procesit të Përzhinos, respektivisht zgjedhjet e dhjetorit, si bazë për dalje të vërtetë nga kriza politike – deklaroi ambasador i Holandës, Wauter Plomp.
 

Nuk mendoj se ka nevojë për zgjedhje të reja. Zgjedhjet e reja do të mbaheshin në një klimë të konfrontimeve të mëdha, që definitivisht nuk do të jenë të mira për stabilitetin. Zgjidhja duhet të gjendet në korniza të Kushtetutës. Gjithashtu mendoj se është herët për Përzhino 3. Sa i përket takimit të liderëve, nuk kam informacione të brendshme për të. Por mendoj se në situatë të klimës konfrontuese politike si e keni në Maqedoni, dialogu mes liderëve, mes opozitës dhe qeverisë nuk është ide e keqe, por kjo varet nga ata vetë të vendosin. Por do të ishte çmenduri të thoshim se nuk ka nevojë për takim mes liderëve – deklaroi ambasador i Suedisë, Mats Stafanson.

Ndërkohë ambasadori i Sllovenisë, Milan Jazbec ftoi liderët politik që sa më parë të gjejnë zgjidhje për formim të qeverisë mbi rezultatin e zgjedhjeve demokratike të dhjetorit dhe zgjidhje për mbajtje të zgjedhjeve lokale, pasi këto janë mënyrat e vetme për zhbllokim të institucioneve qendrore dhe ato lokale.

 Maqedonia duhet të ketë qeveri, sa më parë aq më mirë për të gjithë, veçanërisht për ekonominë. Do të isha shumë i kënaqur të shihja zgjedhje lokale sa më parë që të jetë e mundur, në mënyrë që ky nivel i pushtetit të vazhdojë dhe në të mund të vazhdojmë në mënyrë të suksesshme me investimet e huaja në komuna – deklaroi ambasador i Sllovenisë, Milan Jazbec.

Ambasadorët theksuan se kriza e brendshme ka ndikuar edhe në politikën e jashtme. Andaj sipas tyre, duhet urgjentisht të përmirësohen marrëdhëniet e ‘ngira’ të Maqedonisë me fqinjët, para së gjithash me Shqipërinë, Kosovën e Bullgarinë. Paralelisht me këtë sipas ambasadorëve të huaj, Maqedonia duhet të angazhohet seriozisht për integrim të BE, si mënyrë të vetme për të arritur siguri dhe zhvillim./alsat/