Transporti publik në Tetovë nga dita e sotme nuk është më në funksion. Arsyeja e ndërprerjes së katër linjave, sipas drejtuesve të Ndërmarrjes për Transport të Tetovës, ka të bëj me ndërprerjen e furnizimit me naftë nga pompa e benzinës. Për rastin në fjalë, janë njoftuar edhe autoritetet komunale të Tetovës.

“Ndërmarrja ende nuk ka buxhet vetanak për furnizime me naftë për linjat e autobusëve”, deklaruan nga Ndërmarrja për transport e Tetovës.

Nga kjo ndërmarrje, po ashtu janë shprehur se për rastin në fjalë është njoftuar edhe përbërja e re e komunës dhe se pritet zgjidhja e ngërçit, dhe rikthimi i autobusëve në rrugët e qytetit.

Fondi që ka ndërmarrja, nuk ka paraparë mjete buxhetore për furnizime me naftë për këtë vit, me ç ‘rast, autobusët kanë funksionuar me naftën që është siguruar nga buxheti komunal.

Përndryshe, për momentin, Tetova Transport funksionon me vetëm një linjë, pra ajo e qytetit, ndërsa linjat Tetovë Xhepçisht dhe linja Tetovë Kallnik, janë ndërprerë.