Policia shqiptare po merr masa ekstreme për zhvillimin e ndeshjes mes dy ekipeve Shqipëri-Izrael.

Shërbimet e huaja të sigurisë janë kujdesur vetë deri në detaje, duke mos u mjaftuar me masat e autoriteteve shqiptare. Ndërsa policia shqiptare ka angazhuar numrin më të madh të shërbimeve policore, duke bllokuar edhe rrugët nacionale me qytetin ku zhvillohet takimi sportiv.

“Elbasan Arena” është totalisht nën kontrollin e shërbimeve izraelite dhe atyre shqiptare. Çdo banesë dhe biznes afër stadiumit është kontrolluar imtësisht. Po kështu kanë kaluar në sitë edhe makina apo qytetarë të dyshimtë. Kontrollit nuk i shpëtojnë as ata qytetarë që rastis të lëvizin me objekte të dyshimta.

Policia shqiptare ka angazhuar rreth 2 mijë forca për sigurinë e kësaj ndeshjeje, përfshi këtu forcat RENEA dhe të FNSH-së, të cilat gjithashtu kanë hyrë në stadium për të kontrolluar çdo cep të “Elbasan Arena” prej dy ditësh.

Patrullimi policor nis që me hyrjen te tuneli i rrugës për në Elbasan. Ndonëse nuk bëhet me dije se ku, mësohet se në pika strategjike të Elbasanit janë vendosur disa snajpera, si dhe nuk mungon monitorimi nga ajri i hapësirës. Gjithashtu, nëpër rrugët e Elbasanit, si dhe brenda në stadium, do të ketë gjatë gjithë kohës oficerë civilë të shërbimit izraelit.

Ndeshja Shqipëri-Izrael ishte parashikuar të luhej në Shkodër, por pas raportimeve të shërbimit sekret izraelit “Mosaad”, por edhe të shërbimeve të tjera, disa persona sot të arrestuar kishin planifikuar akte terroriste. Për këtë arsye federata vendosi që ndeshja të luhet në “Elbasan Arena”.