NDI: Maqedonia po ec në drejtim të gabuar

Nëntëdhjetë e tre për qind e qytetarëve të Maqedonisë situatën aktuale politike në vend e përjetojnë si të tensionuar, kritike dhe të paqëndrueshme. 65 për qind mendojnë se vendi po lëviz në drejtim të gabuar, tregon anketa e kryer nga Instituti Kombëtar Amerikan Demokratik (NDI). Thuajse çdo person i tretë i anketuar konsideron se përgjegjës për krizën politike janë VMRO DPMNE-ja dhe presidenti Gjorge Ivanov. Për 13 për qind të të anketuarve problemi qëndron në Platfоrmën e partive shqiptare, ndërsa rreth 11 për qind e drejtojnë gishtin nga LSDM-ja.

“Maqedonasit dhe grupet e tjera etnike në një përqindje më të lartë besojnë se partitë shqiptare, Platforma dhe LSDM-ja janë përgjegjëse për situatën aktuale politike në Maqedoni, në krahasim me shqiptarët etnik, për të cilët përgjegjës janë Ivanovi dhe VMRO DPMNE-ja. 16% e shqiptarëve përgjegjësinë e shohin te BDI-ja dhe VMRO DPMNE-ja”, thonë nga Instituti Kombëtar Amerikan Demokratik (NDI).

Megjithatë, Presidenti i Maqedonisë mban primatin e institucionit më të besuar, dhe menjëherë pas tij është Prokuroria Speciale. Një në tre të anketuar beson se formimi i një qeverie të shumicës së deputetëve është mënyra më e mirë e daljes nga kriza, ndërsa sipas një të katërtës rrugëdalja është në zgjedhjet e reja parlamentare. Pikëpamjet e qytetarëve varen shumë se në cilin televizion i shikojnë lajmet.

“Ndërsa 95 për qind e qytetarëve që shikojnë Alsat – M besojnë se LSDM-ja dhe partnerët e saj të koalicionit kanë të drejtë për të udhëhequr me Qeverinë, qëndrimin e tyre e ndajnë 23 për qind e shikuesve të Kanal 5 dhe vetëm 3 për qind e shikuesve të TV Sitel”, thanë nga Instituti Kombëtar Amerikan Demokratik NDI.

Është interesante, sipas të dhënave, se 81 për qind e qytetarëve nuk e kanë lexuar Platformën e partive shqiptare.

“Derisa 46 për qind e maqedonasve të anketuar mendojnë se Platforma është ndërhyrje e huaj në punët e brendshme dhe e kërcënon sovranitetin e vendit, asnjë nga të anketuarit shqiptar nuk e ndan këtë mendim. Platforma është e pranueshëm pjesërisht për 14 për qind të maqedonasve dhe për 54 për qind të shqiptarëve. Për 44 për qind të maqedonasve ajo është krejtësisht e papranueshme”, thanë nga Instituti Kombëtar Amerikan Demokratik NDI.

Zhvillimet pas-zgjedhore kanë ndikim të rëndësishëm në besimin e qytetarëve në partitë politike. Mbështetja e VMRO DPMNE-së në mesin e maqedonasve është rritur me pesë për qind, ndërsa te shqiptarët është ulur për 34 për qind. LSDM-ja ka humbur besimin në 15 për qind të maqedonasve ndërsa ka marrë mbështetje të re 33 për qind të shqiptarëve.

BDI ka humbur mbështetjen te 15 për qind e elektoratit shqiptar.