Me kredi prej 4 milion eurove, NP “Higjiena komunale Shkup” ka blerë automjete të reja. Pas 10 viteve janë blerë 47 automjete speciale komunale si vetura për të pastruar, makina speciale për skladimin dhe mbledhjen e mbeturinave dhe autocisterna.

TV21 pyet nëse ka qenë e patjetërsueshme që në kohë të pandemisë, kur mungojnë vetura të ndihmës së shpejtë dhe zjarrfikëse, të merret kredi për blerjen e automjeteve të reja për NP Higjiena komunale.


“Ndërmarrja publike Higjiena komunale Shkup, që nga fillimi i pandemisë ka punuar me vëllim të dyfishtë në terren. Ne realizojmë larje të rrugëve më të mëdha me makina që janë nën kompetencë të ndërmarrjes, në mënyrë manuale janë larë hapësirat publike më të frekuentuese në Shkup, Qendra klinike, Çarshia e vjetër në Shkup, këndet për fëmijë në të gjitha komunat në Shkup”, deklaroi Ana Marija Brangjolica, zëdhënëse e NP Higjiena Komunale

Ajo shtoi se tenderi u publikua para pandemisë ndërsa marrja e kredisë nuk është në barrë të buxhetit por me vetëfinancim.

Vendimin për marrje të kredisë e ka miratuar Bordi drejtues të NPHK-së, ndërsa e ka miratuar edhe Këshilli i Qytetit të Shkupit. Automjetet e para që janë porositur do të arrijnë në maj.

NPHK-ja e mirëmban higjienën në 6 milion m2, shtatë ditë në javë në tre ndërrime. Një prej problemeve me të cilin po ballafaqohet kjo ndërmarrje është djegia e kontejnerëve të rinj. Vitin e kaluar janë djegur 50 kontejnerë, ndërsa nga fillimi i këtij viti janë djegur 4 kontejnerë që janë zëvendësuar me të rinj, gjë që paraqet dëm i madh financiar.

Para disa ditësh, komuna e Çairit bleu dy vetura të Ndihmës së shpejtë për transport të pacientëve, që i dhuroi Shtëpia e shëndetit Shkup, të cilat kushtuan rreth 40 mijë euro.