Analizat shtesë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike tregojnë se uji në disa fshatra të Deçanit është jo i pijshëm. Banorët tash e sa kohë vazhdojnë të mos e konsumojnë atë ujë, derisa për nevoja amvisërie shfrytëzojnë puset.
Pas analizave të tjera, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë e ka gjetur bakterin E.coli në ujin e pijes në fshatin Drenoc të Komunës së Deçanit.

“Në mostrat e ujit të ujësjellësit të datës 13. 07. 2021 nga rajoni i Deçanit, pas kultivimit në terrene ushqyese përmes teknikës së identifikimit me MALDI-ToF, në laboratorët e IKShPK-së në Prishtinë, janë identifikuar disa baktere jo patogjene. Këto baktere mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm, kurse në kaptazhën e Drenocit janë izoluar vlera të shtuara të baktereve koliforme dhe E.coli. Uji nga kaptazha e Drenocit deklarohet jo i pijshëm”, ka njoftuar IKSHPK-ja të premten.

Mirëpo, nga ky ujë nuk furnizohen banorët e fshatit Drenoc.

“Ka pasur bukur reagime atëkohë nga banorët pse ky ujë me u marrë, por është marrë për t’i furnizuar për ujë për pije e tash po duket se ndoshta mund të jetë shkaktar i kësaj epidemie”, ka thënë një banor i këtij fshati.

Por, banorët janë furnizuar me ujë të ambalazhuar nga Komuna dhe me mjete vetanake, derisa po i shfrytëzojnë puset për amvisëri.

Gjendja më e rëndë është në fshatin Prejlep. Banorëve atje u është ndërprerë furnizimi me ujë.

Ata tregojnë se paraprakisht kishin pasur mungesë të ujit dhe që nga ajo kohë nuk e përdorin ujin që vjen nga ujësjellësi.

IKSHPK-ja ka kryer edhe analiza të tjera, që e konfirmojnë praninë e bakteres E. coli në ujin e pijshëm në këtë komunë.

Krahas kësaj, gjatë ditës janë publikuar edhe rezultatet e analizave nga mostrat e pacientëve të helmuar në Deçan, të cilët u dërguan jashtë Kosovës. Në këto mostra janë detektuar tri lloje të baktereve.