Mbi 160 dijetarë e delegatë nga të gjithë anët ku jetojnë shqiptarë u mblodhën për 36 shkronjat e alfabetit shqip në Manastir në vitin 1908 dhe hartimin e një dokumenti për institucionalizimin e një alfabeti shqip. Kujtesa sa është vjetër, është edhe e freskët, sepse çdo ditë e më shumë Kongresi i Manastirit na asocon edhe rrugën drejt bashkimit kombëtar. Ëndërr që ende vazhdon të jetësohet, e assesi të materializohet.

Dita e Alfabetit është dita ku të gjithë shqiptarët njëzëri i përgjigjen, si ata të dialektit gegë por edhe ata toskë. Ditë që flet edhe për kthesën dhe revolucionin kulturor të historisë shqiptare. Dita që tregon më shumë se kurrë organizimin politik dhe intelektual, vetëm e vetëm për mbrojtjen dhe prurjen e një alfabeti shqip dhe formimin e shtetit shqiptar, sepse i parapriu 28 nëntorit të vitit 1912.

Lexues të nderuar të portalit FOL, të shpresojmë të gjithë se 36 shkronjat do të na ndihmojnë për një informim të balancuar, korrekt dhe të na shërbejnë për të përqafuar të gjithë lexuesit pa dallim ngjyre politike, ashtu siç ky alfabet na përqafon të gjithë neve shqiptarëve, pa dallim feje dhe ngjyre politike.

Në vend të urimit të zakonshëm, të gjithë lexuesit le të ‘ngushëllohen’ me vargjet e Ndre Mjedës.

Përmbî zâ, që lëshon bylbyli,
Gjuha shqipe m’shungullon,
Përmbi erë, qi nep zymbŷli,
pa ‘da zemrën ma ngushëllon.
Gegë e toskë, malësi, jallia,
jan nji komb, m’u ‘da s’duron,
fundë e majë nji âsht’ Shqipnia,
e nji gjuhë t’gjith na bashkon.