Nesër do të ketë edhe një tentim tjetër për të nisur procesi gjyqësor “Aleanca Ndërkombëtare” ose ndryshe në opinion njihet si “Zhvatja 2”. Jozyrtarisht mësohet se Prokuroria Themelore Publike ka hedhur poshtë kërkesën e palës së akuzuar, gjegjësisht të Frosina Remenskit dhe Bojan Jovanovskit, për ta përjashtuar nga lënda prokuroren Villma Ruskovska.

Më 1 korrik u caktua seanca e parë për këtë rast. Por, e njëjta u anulua pasi Remenski dhe Jovanovski nuk dëshironin që përfaqësues ligjor nga prokuroria ta kenë Ruskovskan. Ata të dy, akuzuan prokuroren për veprim tendencioz dhe selektiv, duke përmendur rastin me Zoran Milevskin, të dënuarin e rastit “Zhvatja”. Në anën tjetër Ruskovska, deklaroi se kërkesa e Remenskit për përjashtimin e saj nuk ka bazë.

Të akuzuar në këtë rast janë Bojan Jovanovski, të cilin i rëndon akuza larje parash dhe mashtrim, babait të tij Mile Jovanovski, për ndihmes në mashtrim dhe larje parash, por edhe për mbajtje të armës dhe municionit pa leje, Frosina Remenski për mashtrim, Jasna Mandiq dhe Hristina Bllazhevska, të cilave u rëndon akuza ndihmës në mashtrim dhe larje parash. Kjo lëndë ka të bëjë me financimin e e organizatës joqeveritare “Aleanca Ndërkombëtare”, e cila është nën udhëheqjen e Bojan Jovanovskit. Në rastin “Zhvatja”, Boki 13 u dënua me 9 vjet burg.

Në ndërkohë, Boki 13 në prokuroi ka dorëzuar një sërë padish për disa persona, për një seri veprash penale mes tyre, shpërdorim detyre zyrtare, mashtrim, shantazh, spiunazh. Vazhdimisht Boki 13, në sallën gjyqësore, thoshte se ai po kërcënohet me jetë, por asnjëherë nuk identifikonte personat që po i drejtonin kërcënimet në selinë e tij në burgun e Shutkës. Një letër e shkruar nga Boki 13, u lexua nga avokati i tij, gjatë shkuarjes së Bokit 13 në Prokurori.