Nesër paradite në pjesën greke të Prespës, ministrat e jashtëm Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias do ta nënshkruajnë marrëveshjen për zgjidhjen e problemit me emrin. Fjalime zyrtare do të mbajnë dy kryeministrat, Aleksis Cipras dhe Zoran Zaev.

Pas zyrtarizimit dhe nënshkrimit të marrëveshjes, ceremonia do të vazhdojë në anën maqedonase në Prespë. Nga Qeveria nuk i bënë të ditura vendet e sakta të takimeve në Greqi dhe Maqedoni, ndërsa sot pritet të njoftojnë për përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare që do të jenë pjesëmarrës në nënshkrimin e marrëveshjes.

Lokacionet tani për tani mbeten fshehtësi. Kujdesi i autoriteteve greke ka qenë për shkak të disa paralajmërimeve për protesta te fqinji jugor pas njoftimit se përfundimisht i jepet fund kontestit mes Maqedonisë dhe Greqisë.

Paralelisht me nënshkrimin në Greqi dhe takimin në pjesën maqedonase të Prespës, VMRO-DPMNE-ja në Manastir, caktoi marsh protestues kundër ndryshimit të emrit kushtetues. Nga ana tjetër, informacionet nga pala greke janë se nuk përjashtohen protesta edhe në anën greke në afërsi të vendit ku do të nënshkruhet marrëveshja.

Është paralajmëruar se rreth vendit do të ketë sigurim policor dhe ndalesë qarkullimi për makinat civile për shkak të protestave të paralajmëruara.