E enjte, 4 qershor, disa orë para izolimit treditorë.. autostradat e mbushura me vetura që po largoheshin nga vendet që po futeshin në karantinë, duke shkuar kështu në komunat për të cilat qeveria kishte caktuar vetëm orë policore.

Vetëm pak orë na ndajnë nga këto pamje, pasi të njejtit njerëz që braktisën kryeqytetin dhe disa qytete të tjera të enjten, nesër pas përfundimit të izolimit do të duhet të kthehen nëpër shtëpitë e tyre.

Këtë vikend Maqedonia e Veriut ishte e ndarë në dy pjesë. Ajo e qeta ku për shkak të orës policore të gjithë duhej të qëndronin nëpër shtëpitë e tyre, dhe pjesa tjetër e zhurmshme ku në kohë pandemie kishte numër shumë të madh të vizitorëve.

Qytetarët e komunave të karantinuara, që mbetën nëpër shtëpitë e tyre, vendosën që të qëndrojnë brenda, por jo të gjithë ishin të diciplinuar, ndaj edhe policia ka marrë masat e nevojshme, duke arrestuar kështu 130 persona, të cilët nuk e rrespektuan orën policore. Orën policore nuk e kanë respektuar gjithësej 154 persona, por ndaj atyre që nuk janë arrestuar, nga ministria njoftojnë se po merren masat përkatëse. Nga ministria njoftojnë gjithashtu se policia ka evidentuar edhe 386 shkelje për mosmbajtje të maskës mbrojtëse dhe dy persona të cilët nuk e kanë respektuar masën për izolim dhe vetizolim. Në 24 orët e fundit janë lëshuar edhe vendime për izolim të 249 personave, ndërsa 132 persona kanë nënshkruar deklarata për vetizolim.

Karantinë 80 orëshe ka për qytetarët e të gjitha komunave në Qytetin e Shkupit, komunat përreth si Haraçina, Zelenikova, Ilindeni, Petroveci dhe Studeniçani, në Kumanovë, Likovë, Shtip, Karbinc, Tetovë si dhe Bogovinë, Bërvenicë, Tearcë, Zhelinë dhe Jegunocë. Në të gjitha qytetet e tjera në vend ndalesa për lëvizje fillon në orën 16:00 deri në 5 të ditës së ardhshme.

Vendimi për vendosjen e sërishme të ndalesës për lëvizje është marrë në pajtim me rekomandimet e Komisionit për sëmundje infektuese, me qëllim të reagimit të shpejtë dhe efikas për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Ndalesë për lëvizje në territorin e të gjithë shtetit pati deri në datën 26 të muajit të kaluar, kur u pezullua tërësisht. Ora policore do të jetë njësoj sikurse ishte paraprakisht, pra do të ketë përjashtime për aktivitetet bujqësore, barnatoret, shtëpitë e shëndetit, policinë, ushtrinë , punonjësit shëndetësorë, marketet dhe restorantet që bëjnë dërgesa të produkteve. Ndalesa e lëvizjes nuk vlen për personat me aftësi të kufizuara dhe shoqëruesit e tyre të cilët duhet të posedojnë dokument.