Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë prej më 15 dhjetor të këtij viti do t’i lëshojë në qarkullim kartëmonedhat në vlerë prej 200 dhe 2.000 denarësh, ndërsa njëherësh do t’i tërheqë nga qarkullimi kartëmonedhat prej 5.000 denarësh.

BPRM njofton se vendimi për lëshimin e kartmonedhave në vlerë prej 200 dhe 2.000 denarësh ka dalë nga nevoja e shqyrtuar reale për ribalancimin e strukturës ekzistuese të vlerave të kartmonedhave në qarkullim.

“Struktura ekzistuese e vlerave të kartmonedhave të cilat janë në qarkullim prej 8 shtatorit 1996 deri më sot nuk ka pësuar ndryshime dhe vendosja e këtyre kartmonedhave të tjera paraqet ndryshimin e parë që zbatohet pas periudhës 20-vjeçare. Ky vendim është sjellë në bazë të hulumtimeve dhe analizave të faktorëve ekzistues, me ç’rast u përcaktua se ekzistojnë nevoja reale për vendosjen e dy kartmonedhave të reja. Vendosja do të mundësojë rritje të ofertës së kartmonedhave të cilat janë në dispozicon gjatë kryerjes së transaksioneve me para të gatshme, ndërsa si efekt sekondar pritet balancimi i kërkesës për denominime të caktuara”, sqarojnë nga BPRM.

Shtojnë se përvojat tregojnë edhe se në disa raste të caktuara, është e nevojshme të eleminohet secila prej denominimeve me qëllim që struktura e denominimeve të jetë më kompakte.

“Kartmonedhat me vlerë prej 5.000 denarësh nuk janë pranuar nga opinioni më i gjerë për shkak të vlerës së tyre të lartë nominale, është kufizuar përfaqësimi gjatë kryerjes së transaksioneve të gatshme dhe këmbimi, fillimisht në tregti. Zbatimi i tyre në transaksionet e përditshme është i parëndësishëm”, thonë nga BPRM.

den2

Theksojnë se nevojë për kartmonedha me këtë denominim nuk kanë paraqitur as bankat dhe në vend që sasia e tyre në qarkullim nga viti në vit të rritet, ajo vazhdimisht ka rënë dhe prandaj ato do të ndalojnë së qeni mjet ligjor për pagesë më 15 dhjetor 2016.

Bankat afariste në Republikën e Maqedonisë do t’i këmbejnë kartmonedhat me vlerë prej 5.000 denarë prej 15 dhjetorit 2016 deri më 28 shkurt 2017, ndërsa nga 1 marsi 2017 zëvendësimi i tyre do të bëhet nga Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë.

Që në mënyrë përkatëse të kyçen në sistemin e punës me para të gatshme dhe për shkak të zhvillimit të papenguar të transaksioneve me para të gatshme me kartmonedhat e reja, lëshimi i tyre në qarkullim është paraparë për më 15 dhjetor 2016.