Edhe pse ngricat nëpër rrugët e fshatrave të malësisë së Sharrit kanë filluar të paraqiten që prej një jave dhe vështirësojnë lëvizjen e banorëve nëpër këta rrugë, komuna e Tetovës akoma nuk ka zgjedhur firmën dhe nuk ka bërë furnizimet e duhura me kripë për mirëmbajtje dimërore të rrugëve”, njofton Alsat M.

Banorët e fshatrave të Malësisë së Sharrit shprehin shqetësimet e tyre, sepse ngricat në të shumtën e rasteve rrezikojnë jetët e banorëve. Ndërkohë kërkojnë nga komuna e Tetovës, që të intervenojë së paku me rërë dhe kripë.

“Rrezikun, ja e shihni vetë.”

A kanë hedh kripë ose rërë?

“Asnjëherë, ja komenti im duket s’ka koment.”

“Shiheni vetë, po të biesh aty ikësh në përrua poshtë, hiç se ka prek kush, asgjë s`ka bë”.

Nga komuna shprehen se tenderi është mbyllur dhe se presin 7 ditshin e ankesave dhe të fillojë furnizimi me kripë, afër 100 tonë dhe një sasi e vogël e rërës.

Puna e pastrimit dimëror të rrugëve është çështje rrjedhëse e komunës së Tetovës, është një punë që kryhet para çdo sezoni dimëror. Edhe këtë radhë komuna ka hapur procedurën për furnizim publik. Sa kam informata nga shërbimi përkatës, procedura e tenderimit ka përfunduar, është faza e animimit. Presim të përfundojë ky afat dhe pastaj kompania përkatëse të fillojë me pastrimin e akseve rrugore malore ku tanimë bora ka kapluar- deklaroi Armend Fazliu, zëdhënës i komunës së Tetovës.

Nga ana tjetër në Ndërmarrjen publike komunale, do të ketë riorganizim të punëtorëve, të cilët tani janë të angazhuar në larjen e rrugëve. Të njëjtët sipas drejtorit të ndërmarrjes, që të gjithë do kalojnë në mirëmbajtjen e rrugëve dhe trotuareve.