Komisionet zgjedhore komunale në bashkëpunim me KSHZ kanë filluar procesin e zgjedhjes së rastësishme të kryetarëve, zv/kryetarëve, anëtarëve dhe zv/anëtarëve të bordeve zgjedhore nëpër komisionet komunale, ndërkaq personat që do të përzgjidhen, do të jenë nga radhët e administratës shtetërore, komunale dhe publike.

Bëhet fjalë për short i cili do të zgjasë katër ditë. Gjatë ditës së sotme përzgjedhja  e komisioneve zgjedhore komunale do të realizohet për 12 komuna, ku do të emërohen gjithësej 7908 persona. Ndërkaq për katër ditë sa zgjat ky proces, do të përzgjidhen gjithsej 20 886 persona, në bordet zgjedhore të 80 komisioneve komunale.

Zëdhënësja e KSHZ-së, Arjeta Xhemaili, tha se zgjedhja do të realizohet mbi baza  të administratës shtetërore dhe publike, të selektuara nëpër komuna dhe  të  marra nga Ministria e Informatikës. Ajo tha se në këto përzgjedhje nuk ka hapsirë për manipulime.

ARJETA XHEMAILI, ZËDHËNËSE E KSHZ-SË

“Manipulime nuk mund të ketë, nëse e keni fjalën për manipulim, pasi baza është marrë nga Ministria e Informatikës dhe aty janë të gjithë administrata shtetërore dhe publike. Përzgjedhja bëhet e rastësishme, kështuqë nuk ka hapsirë për ndonjë manipulim, ose vetëm të hap ndonjë dyshim të tillë”

Ndërkaq, përfaqësuesja e VMRO-DPMNE-së në KSHZ-së, Silvana Boneva, thotë se KSHZ në seancën e mbrëmshme e ka angazhuar udhëheqësin e IT sektorit që të bëjë kontrolle nëpër komuna të të punësuarve administrativë, të dhënat e të cilave është dashur të merren sot përpara se të fillojë zgjedhja e rastësishme. Ndërkaq ajo shtoi se dy orë pasi ka filluar përzgjedhja e rastësishme këto të dhëna ende nuk kanë arritur.

SILVANA BONEVA, ANËTARE E KSHZ-SË

“Ato kontrolle sot do të duhej ti merrnim përpara se të fillojë zgjedhja e rastësishme. Deri në këtë moment, tanimë dy orë që realizohet zgjedhja e rastësishme, udhëheqësi i IT sektorit, as neve anëtarëve të KSHZ-së, por as anëtarëve të komisioneve zgjedhore komunale nuk ua kanë dorëzuar”

Ndryshe, një anëtarë i bordit zgjedhor dhe zëvendësi i tij emërohen me propozim të partive politike në pushtet dhe një anëtarë  dhe zëvendësi i tij emërohet me propozim të partive në opozitë  të cilët në zgjedhjet e fundit për deputetë, kanë marrë më së shumti vota.  Nëse partitë politike nuk paraqesin propozimet e tyre për anëtarë dhe zëvendësa, të njejtit do të zgjidhen nga rradhët e administratës, me zgjedhje të rastësishme.  /SHENJA/


Nis përzgjedhja e anëtarëve të komisioneve… by tvshenjaofficial