Përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë ndodhen sot në Bruksel për takimin e radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Aktualisht, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, të kryesuara nga Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, janë në takim të përbashkët, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak.
Paraprakisht, Lajçaku priti veç e veç Bislimin dhe Petkoviqin.
Bashkimi Evropian paralajmëroi një ditë më herët se do të shtojë trysninë mbi dy vendet për të zbatuar marrëveshjen e arritur një vit më parë për normalizimin e marrëdhënieve.
Bisedimet, megjithatë, mund të mbeten nën hijen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë – temë kjo, po ashtu, e paralajmëruar nga BE-ja.
Me një rregullore të Bankës Qendrore, Kosova e ndaloi përdorimin e kësaj valute më 1 shkurt, duke e bërë euron mjet të vetëm pagese.
Çështja, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.
Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’u dhënë kohë qytetarëve të prekur të përshtaten me praktikën e re.