Në marrëveshjen ekonomike të nënshkruar nga Kosova dhe Serbia më datë 4 shtator në Uashington, Prishtina dhe Beogradi janë pajtuar që për Liqenin e Ujmanit të punohet me Qeverinë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij rezervuari, si furnizues i ujit dhe energjisë.

Sipas Qeverisë së Kosovës, Liqeni i Ujmanit ka qenë pjesë e projektit në vitet e 70-ta dhe është ndërtuar me kredi nga Banka Botërore, për të cilën ka garantuar shteti i ish-Jugosllavisë, kurse obligimet dhe marrëveshjet i kanë nënshkruar njësitë federale, në këtë rast Kosova.

Shteti i Serbisë refuzon ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe si për çdo pasuri të Kosovës, edhe për Ujmanin, ka pretendime pronësore. Çështja e këtij liqeni bëhet edhe më problematike pasi shtrihet në veri të vendit, ku ndikimi i Beogradit është i madh.

Po pse është kaq i rëndësishëm ky liqen?

Liqeni i Ujmanit përdoret edhe për rekracion.
I shtrirë në veri të Kosovës, në kufi me Serbinë, Liqeni i Ujmanit, që njihet edhe si Liqeni i Gazivodës, është ujëmbledhësi më i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës.

Ujmani ka sipërfaqe prej 11.9 kilometrash katrorë dhe kur është plotësisht i mbushur me ujë, ka rreth 370 milionë kub ujë.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, 9.2 kilometra katrorë janë në territorin e Kosovës dhe 2.7 në atë të Serbisë.

Penda e Ujmanit është e lartë 107 metra

blob:https://www.evropaelire.org/05254407-67a8-4a42-a195-7de8c8a0e57e
I ndërtuar mes viteve 1979-1984, Liqeni i Ujmanit është rezervuari më i madh akumulues në Kosovë. Tre liqenet e tjerë janë: Liqeni i Batllavës në Komunën e Podujevës, i Badovcit afër Prishtinës dhe Liqeni i Radoniqit në Komunën e Gjakovës.

Rreth 35 për qind e banorëve të Prishtinës furnizohen nga ky rezervuar përmes fabrikës së re të ndërtuar për përpunimin e ujit në Shkabaj, pak kilometra larg qendrës së kryeqytetit.

Komunat tjera që furnizohen me ujë janë: Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj, Gllogoci, Obiliqi dhe Fushë Kosova.

Kur ka thatësira, uji nga ky liqen përdoret për t’i mbushur dy rezervuarët tjerë afër Prishtinës, të Batllavës dhe Badovcit.

Në liqen ekziston edhe një hidrocentral me kapacitet të prodhimit të rrymës 35 MW (megavatë), dy blloqe me kapacitet nga 17.5 MW. Nëse ndërrohen blloqet e vjetërsuara, atëherë mund të prodhohet edhe më shumë energji elektrike.

Mbi 12 mijë hektarë tokë bujqësore mund të ujiten për momentin përmes kanalit Ibër-Lepenc. Për momentin ky kanal është pothuajse jashtë funksionit ose përdoret pak, mirëpo Qeveria e Kosovës ka bërë disa marrëveshje me institucionet e huaja financiare për meremetimin e këtij kanali.