Testimi është marrja e një strishio më thellë nga fyti dhe hunda me një shkopth me majë pambuku, zgjat disa sekonda dhe është po aq i sigurt sa çdo strishio tjetër që të gjithë e kemi bërë shumë herë më parë për baktere dhe viruse të tjera të ndryshme. Mostra më pas testohet në një laborator për të parë nëse në të është i pranishëm materiali gjenetik i virusit, i quajtur ARN. Nuk ka asnjë dëshmi që ky test është përdorur ndonjëherë për të identifikuar ADN-në e një personi, shkruan Vërtetëmatësi.

Një tjetër postim viral në Facebook i cili problematizon dhe njollos testet për detektimin e koronavirusit është subjekt i këtij recenzioni. Dezinformata në lidhje me vaksinat dhe testet për të zbuluar nëse një person është i infektuar me koronavirus janë përhapur gjerësisht gjithë këto kohë. Këtë herë pretendohet se me testet vidhet ADN. Kjo nuk është e vërtetë.

Me testet na e vjedhin ADN-në

Për këtë pretendim nuk ka asnjë dëshmi nga komuniteti mjekësor.

Testimi është marrja e një strishio më thellë nga fyti dhe hunda me një shkopth me majë pambuku, zgjat disa sekonda dhe është po aq i sigurt sa çdo strishio tjetër që të gjithë e kemi bërë shumë herë më parë për baktere dhe viruse të tjera të ndryshme.

Mostra më pas testohet në një laborator për të parë nëse në të është i pranishëm materiali gjenetik i virusit, i quajtur ARN. Nuk ka asnjë dëshmi që ky test është përdorur ndonjëherë për të identifikuar ADN-në e një personi

Dr. Tanja Nolan, një biologe molekulare e njohur ndërkombëtarisht dhe eksperte për testimin PCR, tha se testi “nuk jep informacion të tillë për shenjat e ADN-së siç kërkohet për analiza forenzike“.

Testi PCR, i cili përdoret në mbarë botën gjatë pandemisë me Kovid-19, është një test molekular i miratuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Ky test është standard i artë për diagnostikimin e Kovid-19 pas miratimit për përdorim në shkurt të vitit 2020. Ai është i saktë dhe i besueshëm.

Drejtoresha e zyrës së OBSH-së në Shkup, Jihan Tavilah, në prill të vitit të kaluar, tha për MIA-n se sipas udhëzimeve të OBSH-së testi PCR është bërë për zbulimin e virusit, përkatësisht antigjenit.

Me të mund të matet ngarkesa virale ose numri i viruseve në një mostër. Kjo do të thotë se vetëm përmes testimit të ngarkesës virale me testin PCR do të dimë nëse dikush është i infektuar dhe ka sëmundje aktive, ose kur dikush është shëruar, tha ajo për MIA-n.

Në fund të fundit, testet nuk bëhen vetëm në laborator, por testet e shpejta për përdorim në shtëpi mund të bëhen nga kushdo. Ato blihen në farmaci, ka një udhëzim se si t’i përdorni dhe mund të shihni nëse jeni infektuar. Testin e bëni vetë dhe mostrat ju mbeten juve, nuk dorëzohen në laborator. Pra, edhe me këto teste askush nuk mund t’ju vjedhë asgjë.

Testimi luan një rol kyç në trajtimin e pandemisë me koronavirusin. Personat e infektuar që testohen dhe izolohen në kohën e duhur nuk e përhapin virusin te personat e tjerë të cilët më pas do ta përhapin atë edhe më tej. Prandaj, që nga fillimi i pandemisë, Organizata Botërore e Shëndetësisë bën apel për testim masovik dhe izolim në kohë të pacientëve.

“Ne kemi një mesazh të thjeshtë për të gjitha vendet – testohuni, testohuni, testohuni,” tha Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom.

Në fakt, pretendimi se po vidhet ADN-ja e atyre që testohen është jashtë çdo arsyetimi logjik. Imagjinoni për një sekondë se sa njerëz që punojnë në pikat e testimit dhe në laboratore në mbarë botën tashmë do ishin të përfshirë në këtë plan sekret për keqpërdorimin e sistemit për testim e të mos e ketë zbuluar asnjë njeri.

Postime të tilla, të cilat ngrenë dyshime mbi testet që zbulojnë koronavirusin, mund të jenë shumë të dëmshme nëse dikush u beson dhe refuzon të testohet edhe nëse ka simptoma ose ka qenë në kontakt me një person të infektuar. Dhe nëse dikush është pozitiv dhe nuk është testuar, pra nuk ka konfirmim se është i infektuar, ai mund të përhapë virusin kudo, të infektojë shumë njerëz por gjithashtu mund të mos pranojë kujdesin e duhur mjekësor.

Prandaj, mos u besoni postimeve të tilla të rrezikshme, pasi ato mund t’ju bëjnë dëm të madh juve ose të afërmve tuaj.