Pandemia, klima, ngrohja globale, luftërat, rendi ndërkombëtar në krizë. E me këto të gjitha kinemaja e filmave apokaliptikë dhe postapokaliptikë. Narrativa globale po ndërton një distopi të pashmangshme që po e vendos njeriun në krizë të thellë besimi për aftësitë e tij dhe për arritjet e deritanishme. Po e afron fundin jo në kuadër të milenarizmit, pra të besimit fetar se korrigjimi vjen me asgjësimin, por me litaninë e tregimit të përditshëm të shenjave dhe ngjarjeve që vetëdenoncojnë qytetërimin. Kjo është si dikush që tregon ëndrra të këqija, por nuk di të japë shpjegim dhe të gjejë zgjidhje veçse të mos dalë më nga shtëpia.

Dukuri të tilla ka patur përherë dhe njeriu thuajse përherë është strehuar tek irracionalia për të shpjeguar atë që po ndodhte, ndonëse ekuilibri rivendoset nga masa të arsyeshme. Për paradoks, kjo histeri po përsëritet sërish, kësaj radhe me ndihmën e shkencës që hap pas hapi, studim pas studimi, konfirmon vetëm një gjë: ne po vrasim planetin.

Po si? Si të besosh kaq kollaj një përfundim empirik të njerëzve që po përfundojnë duke themeluar një fe të re për të ndikuar vendimmarrjen? Ajo që sugjeron shkenca sot, edhe në rastin e pandemisë, është radikale dhe për nga natyra e vet, shoqëria njerëzore do ta kundërshtojë, do të ndahet mbi zgjidhje të tilla. Sepse përtej arsyetimit qëndron edhe intuita se diçka po ndodh jo në planet, por me Ne. me strukturën tonë sociale, besimet, referencat tona po likujdohen si simbole të një mallkimi planetar.

I nxehti, i ftohti, përmbytjet, thatësira, të gjitha dukuri që kanë ndodhur gjatë historisë, po i faturohen qytetërimit. E njëjta gjë përshkruhet të ketë ndodhur edhe në epokën paraindustriale me shoqëri si majat p.sh, zhdukja e të cilëve lidhet me ndryshimin klimetarik. Po kush e kishte fajin atëherë?

Problemi nuk është të vësh në diskutim gjetjet e raporteve të ekspertëve, por tek autoriteti i shkencës që po kërkon dhe merr një rol që nuk mund ta ketë. Gjetjet janë shndërruar në kapituj narrative dhe që këtej ato shndërrohen në premisa për vendime. Gjatë pandemisë ne dëshmuam se shkenca sugjeroi zgjidhje që pak i ndanin nga aventurizmi duke provokuar ndarje të mëdha në shoqëri. Askush nuk di të provojë mirë nëse maska të mbron, nëse medikamente të caktuara kanë dobi, apo ishin gjetje ad hoc, nëse masat e karantinimit kanë vërtet ndikim. Nëse edhe vetë vaksina jep zgjidhje përfundimtare, apo është një tjetër katapultë sezonale në këtë ngjarje madhore për njerëzimin.

Diçka shkoi keq në komunikimin tërësor, diçka nuk e përtypi mirë këtë prani të “Mendjeve të Mëdha” në tryezën e vendimmarrjes që sot po i ngjajnë përherë e më shumë alkimistëve dhe rasputinëve që parathonë qametin sesa njerëzve që përveçse i bëjnë gjyqin njerëzimit, ta trajtojnë atë si fëmijë që nuk kupton, edhe të kuptojnë se shoqërisht ne do të veprojmë përherë drejt burimeve natyrore.

Asnjë shkencë e vërtetë nuk mund të na shndërrojë në fremenët e Frank Herbert dhe një shkencë që rend si maratonomaku për të njoftuar fundin, thjesht do të përshfaqet si sharlatane e vetvetes.