Trajtesa e mëposhtme me autor një profesor të arkeologjisë dhe antropologjisë në universitetin e TelAvivit, Erez Ben-Yosef, krijon një qasje të re, ose më mirë e përforcon atë me autoritetin e vet, sipas të cilës shikimi mbi shoqëritë nomade të kohës së hekurit, është i deformuar. Ben-Yosef vlerëson se ndikim për këtë ka arkeologjia dhe metoda e saj e ndërtimit të narrativave vetëm mbi prova materiale, ndërkohë që në periudhën për të cilën flasim, sipas studiuesit kemi të bëjmë me shoqëri polimorfe, ku nomadët ndërveprojnë me sedentarët dhe arrijnë madje të krijojnë njësi politike të fuqishme. Duke ruajtur strukturën nomadike të jetës ata sërish nuk lënë gjurmë të mëdha arkeologjike duke u skualifikuar kështu për arsye metodologjike nga panorama historike.

Qasja e autorit ka provokuar debate në Izrael, pasi përmes saj arrihet në përfundime se edhe Mbretëria e Izraelit ishte një shoqëri polimorfe, ku Sauli, Davidi apo Solomoni, mund të kenë qenë pjesë e fiseve nomade, një moment ky që vë në krizë narrativën biblike dhe ka pasoja politike.

Por rivlerësimi i rolit të arkeologjisë në lëmin e studimeve parahistorike, sidomos metodës së saj, duke kërkuar që të mos ketë absolutizim, mund të vlejë edhe për të rishikuar shumëçka në rajone të tjera ku historia flet vetëm përmes arkeologjisë. Teza e autoktonisë së shqiptarëve dhe e vijueshmërisë iliro-shqiptare, është arkeologjike kryesisht dhe etnografike më tej, duke presupozuar paradigma deri diku aksiomatike.

Më poshtë trajtesa e kthyer shqip në të cilën janë hequr fusnotat dhe nuk jepen sqarime për autorët që referohen(në lidhjen origjinale mund të gjenden të gjitha).

***

Prof. Erez Ben-Yosef – Universiteti i TelAvivit

Fiset baritore lënë pak gjurmë që arkeologët të mund të dallojnë praninë e tyre. Ato priren të përdorin mjete lëkure dhe kosha në vend të poçeve, jetojnë në tenda në vend të vendbanimeve të gërmuara apo kasolleve të mbështetura nga trarë druri, apo mure guri apo tulla. Mjetet e lëkurës dhe koshat si rregull nuk kanë shans të mbeten gjatë. Tendat nuk kanë nevojë as për vrima të thella për të shenjuar se ku ndodheshin dikur.

Çështja në fjalë është metodologjike. Ajo ka të bëjë me mënyrën me të cilën nomadët interepretohen zakonisht në arkeologjinë biblike dhe sesi inkorporohen në arkeologji bazuar në narrativat historike. Sfidat themelore në gjurmimin dhe hetimin e nomadëve në të dhënat arkeologjike çuan herët në një spektër të ngushtë interpretativ, që më së shumti bazohet mbi etnografinë beduine dhe interferencat e arkivave të Lindjes së Afërme. Ky perceptim relativisht i rrafshët i organizimit social të nomadëve përfshin një supozim bazë, sipas të cilit rritja e kompleksitetit social dhe krijimi i njësive të fuqishme politike në Levantin e Jugut, ishin dukuri ekskluzive të të nguliturve. Sipas këtij versioni, në diskutimet rreth proceseve shtetformuese të periudhës së hershme të Epokës së Hekurit, “shtetet” e banorëve të tendave(apo “mbretërive” në sensin e tyre biblik) nuk merren në konsideratë dhe për rastet në të cilat nomadët presupozohen se janë një përbërës origjinal thelbësor i shoqërisë në trajtim, “shtetësia” e çdo lloji nuk konsiderohet kurrë seriozisht pa presupozuar fillimisht sedentarizimin e plotë të popullsisë.

Ky vështrim i kufizuar i nomadizmit – që në disa pika bie ndesh me vetë narrativën biblike dhe të dhëna të tjera – është fortifikuar kaq shumë në arkeologjinë biblike saqë trajtohet tipikisht si një aksiomë, një e vërtetë e përgjithshme e pranuar që nuk ka nevojë të shpjegohet. Megjithatë, kërkime të fundit në Luginën Aravah, kanë zbuluar atë që mund të mos jetë tërësisht befasuese: kuadri i vjetër interpretativ është shumë i ngurtë për të konsideruar të gjitha strukturat sociopolitike nomade dhe aty pati në të vërtetë përjashtime. Kërkimi ka ofruar të dhëna të paneglizhueshme për një shoqëri nomadike shumë komplekse në fillimet e Epokës së Hekurit, që krijoi një qeverisje të fortë dhe hierarkike, ndërkohë që ruante në thelb mënyrën e vet nomadike të jetesës. Të dhënat dhe implikimet e tyre metodologjike për arkeologjinë biblike u prezantuan nga autori në një ese të titulluar: “Paragjykimi arkitektural në Arkeologjinë e sotme Biblike” dhe u diskutua më tej  në shtyp. Duke patur parasysh sesa i rrënjosur është vështrimi i kufizuar mbi nomadizmin në arkeologjinë biblike, kundërshtimet ndaj kuptimit të ri të kompleksitetit të shoqërisë nomadike u shfaqën shumë shpejt. Të dhënat e reja megjithatë, i vënë në vështirësi nocionet e vjetra mbi nomadët.

Synimi i kësaj trajtese është të demonstrojë implikimet e përdorimit të një spektri interpretues më të gjerë për nomadët(që merr parasysh mundësinë e shoqërive shumë komplekse nomadike) në rindërtimin e narrativave historike, në veçanti atyre të lidhura me proceset e shtetformimit gjatë fillimeve të Epokës së Hekurit(shekujt 12-18 p.e.s). Trajtesa nis me Edomin e hershëm, ku arkeologjia unike e prodhimit të bakrit mundëson një hetim të hollësishëm dhe të pakrahasueshëm të shoqërisë nomadike. Kjo pasohet nga një diskutim për Moabin e hershëm me një kuptim të ri të dukurisë së siteve të “Mudajanës”. Studimi mbyllet me disa vëzhgime mbi kërkimet arkeologjike në Izraelin e hershëm. Argumentohet se në të gjitha rastet interpretimi i të dhënave arkeologjike është thjeshtuar kur është konsideruar mundësia se shoqëritë shumë komplekse nomadike(apo të përziera me të nguliturit) luajtën një rol të madh në historinë e rajonit.

2. Pikat e nisjes

Pikënisjet për këtë diskutim janë si më poshtë:

2.1 “Nomadë”

Në këtë diskutim termi “nomadë” përdoret në kuptimin e zgjeruar për të përfaqësuar të gjitha llojet e popullsive të lëvizshme pa përcaktuar modele specifike ekonomike apo lëvizjeje. Nëse nomadizmi pastoral(apo gjysmë nomadizmi) ishte forma kryesore e nomadizmit brenda strukturave afatgjata të Levantit të Jugut, është evidente se në disa periudha realiteti ishte më kompleks. Gjatë periudhës në shqyrtim, kullotja mund të ketë qenë përforcuar(apo zëvendësuar) nga praktika të tjera ekonomike si bujqësia, meatalurgjia dhe tregëtia e mallrave të luksit, që në këmbim do të kenë ndikuar modelet e zhvendosjes. Të dhënat tekstuale tregojnë se krahas nomadëve agro-pastoralë si Shasu, kishte grupe të lëvizshme me origjinë krejt tjetër, që përfshinte brigandë dhe me gjasë mercenarë siç ishin Habiru/hapiru.

2.2 Transparencë arkeologjike

Ka të dhëna të pamohueshme që tregojnë se nomadët mund të jenë në pikëpamje arkeologjike krejtësisht të padukshëm. Më tej akoma, edhe kur gjenden mbetje arkeologjike të nomadëve dhe datohen(sfidë më vete kjo), ato përfaqësojnë tipikisht një fraksion të popullsisë dhe cilësia e tyre nuk lejon intuitizimin e ndonjë pasqyre sociale thlebësore. Më e rëndësishme, pabarazia themelore mes të dhënëave arkeologjike të nomadëve dhe ato të të nguliturve, duhet të njihet në çdo rindërtim historik me bazë arkeologjinë që i përfshin të dy komponentët(kronologjikisht dhe gjeografikisht). Tiparet arkeologjike që janë baza për hetimin e organizimit të shoqërive të së shkuarës, si akumulimi i dheut, shtresa të shkatërruara dhe vendet e pasura të kulturës materiale, mungojnë tërësisht nga të dhënat arkeologjike, të pjesshme apo fragmentare për nomadët.

2.3. Pjesë themelore e Matricës sociale të Levantit të Jugut

Bazuar në ndërthurjen e etnografisë, faktorëve ekologjikë, të dhënave historike dhe arkeologjike, pranohet gjerësisht se nomadët ishin një komponent i rëndësishëm i matricës sociale të Levantit të Jugut, përfshirë rajonet jashtë shkretëtirës.

2.4. Origjina nomadike e Izraelit të Lashtë dhe Shteteve Fqinj

Origjina nomadike pastorale e Izraelit të lashtë, si dhe e Amonit, Moabit dhe Edomit, pranohet gjerësisht. Duhet vënë në dukje se pikëpamje të tjera, si shfaqja e Izraelit nga popullsi të ngulitura kananite, ndoshta rrjedhin ose nga një qasje pozitiviste në arkeologjinë e nomadëve(pra se një fazë nomadike duhet të jetë qartësisht e dukshme), qoftë nga një perceptim i thjeshtë i nomadëve(që është vështirësia e asociimit të tyre me institucionet që janë në dukje të kufizuara te të nguliturit), ose të dyja së bashku.

2.5. Vazhdimësia(kontinuumi) nomadiko-sedentar dhe shoqëritë polimorfike

Shoqëritë e kohës së Bronzit dhe Epokës së Hekurit shpesh konsistonin në komponente të sedentarëve dhe nomadëve(shoqëri dimorfike). Termi “shoqëri polimorfike” përshkruan mirë këtë dukuri teksa merr parasysh mundësinë e situatave të panumërta përgjatë kontinuumit sedentaro-nomadik. Në kontrast të fortë me realitetin e botës moderne, tranzicioni mes situatave, përfshirë atë në drejtimin të ngulitur –nomadë, ishte gati organik; mobiliteti dhe fleksibiliteti i shoqërive të Lindjes së Afërm u mundësonte njerëzve të lëviznin përgjatë atij kontinuumi në përputhje me ndryshimin e kushteve mjedisore, politike dhe socioekonomike.

2.6. “Tirania e Etnografisë”

Titulli huazohet nga një diskutim në arkeologjinë prehistorike që është një disiplinë që merret me sfida të ngjashme me ato që paraqiten nga arkeologjia e shoqërive të lëvizshme të periudhave të mëvonshme. Vështirësitë reale që paraqiten nga të dhënat arkeologjike të grupeve të lëvizshme e kanë bërë kaq të fortë besimin në etnografi, saqë shpesh ajo pengon konsiderimin e zgjidhjeve të thjeshta që qëndrojnë jashtë kontekstit etnografik. Megjithatë, siç është vënë në dukje nga Belfer-Cohen dhe Goring-Morris, sikundër duhet patur kujdes nga interpretimet e njëanshme të bazuara mbi kuadrin konceptual arkeologjik, ashtu edhe duhet kujdesur nga projektimi i të tashmes etnografike në të shkuarën.

Lidhur me nomadët e kohës së bronzit dhe hekurit në Levantin e Jugut, problemi është përkeqësuar, teksa edhe vetë etnografia mungon. Antropologët nuk kishin ndonjë interes për Azinë Perëndimore përpara Luftës së Parë Botërore, një ngjarje që konsiderohet një pikë kthese në historinë e rajonit, pas së cilës dokumentimi i shoqërive beduine ka vlerë të kufizuar për studimin e shoqërive antike. Kështu “etnografia” e disponueshme bazohet kryesisht në rrëfimet e udhëtarëve, eksploratorëve dhe orientalistëve me të gjithë problemet që kjo ngërthen. Thënë kjo, pika kryesore këtu është se pavarësisht cilësisë së të dhënave etnografike, mundet që shembulli modern nuk aplikohet përherë në të gjitha rastet e së shkuarës, edhe nëse këto raste lidhen me të njëjtin rajon dhe kushte të ngjashme mjedisore. Lidhur me rastin në fjalë, fiksimi me “modelin beduin” në trajtimin e shoqërive nomadike, është në fakt i dëmshëm ndaj përpjekjeve tona për të kuptuar më mirë këto shoqëri dhe rolin e tyre në historinë e rajonit, pasi e verbon diskutimin studimor mbi çështjen.

2.7. “Nomadizëm i mbyllur”

Termi u përdor fillimisht nga Latimore në referencë të nomadëve të Azisë Perëndimore(në dallim me ata të stepave të Azisë Qendrore) dhe u adoptua nga Rowton për të përshkruar vendet pastorale të qarkuara nga ngulime urbane dhe shtete, në të cilat nomadët kishin një shkallë të lartë simbioze dhe marrëdhënieje ekonomike dhe politike me sedentarët. Rowton zhvilloi pikëpamjen e tij mbi bazën e të dhënave tekstuale nga shoqëria e ngulitur mesopotamase; ndaj nuk është suprizë që trajtesa e tij e “nomadizmit të mbyllur” përfshin hamendësime implicite të marrëdhënieve asimetrike të forcës, në të cilat nomadët shihen si të varur nga sedentarët në çdo aspekt, përfshirë atë politik.

Koncepti i nomadizmit të mbyllur ka qenë përdorur në kërkimin mbi Levantin e Jugut; megjithatë si në rastin e mësipërm të etnografisë, aderimi në këtë model të veçantë jep përshtypjen e rreme se ne kemi mjetet e duhura për të kuptuar nomadët e epokës biblike, ndërkohë që shkalla e pasigurisë është shumë e madhe. Më tej akoma, ia vlen të nënvizohet se fuqia në dukje e këtij modeli – bazuar në të dhënat historike – është në vetvete çorientuese, pasi prezantimet e njëanshme dhe të deformuara të nomadëve nga skribët e shoqërive qytetare nuk mund të korrigjohen lehtësisht. Në çdo rast, duket se edhe të dhënat e kufizuara arkeologjike për nomadët zbulojnë një situatë komplekse.

Në një artikull të fundit, Alizadeh prezanton një përjashtim të qartë nga ky model, bazuar mbi të dhëna për ngritjen e shtetit malor të Elamitëve në jugperëndim të Iranit. Në këtë rast që ai e quan si “nomadizëm i rrethuar”, ka të dhëna për ekzistencën e hierarkisë sociale dhe shtresëzimit në nomadizmin pastoral prehistorik dhe për proceset sociale nomadike që ishin të shkëputur nga fermerët e ngulitur. A mundet ky model, në të cilin nomadët konstituonin shoqërinë qendrore që “rrethonte” qendrat urbane dhe fermat, ndërkohë që udhëhiqte procese socio-politike, të aplikohet për Levantin e Jugut?

2.8. Periudhë e jashtëzakonshme

Brenda kohës së gjatë të Levantit të Jugut, periudha e Hekurit të Hershëm dëshmoi kushte të veçanta që favorizonin akumulimin e fuqive të jashtëzakonshme nga shoqëri tipikisht margjinale si nomadët. Fundi i hegjemonisë së zgjatur egjiptiane në rajon, shkretimi i disa zonave për shkak të përkeqësimit të kushteve klimaterike dhe prishja e sistemeve dhe monopoleve të tregtisë së Epokës së Bronzit mbi disa mallra, krijuan një mundësi për fiset nomadike që të marrin pushtet, duke u bashkuar në entitete të fuqishme politike. Në rastin e Aravahut dhe rajoneve fqinje(Lartësitë e Negevit dhe Rrafshnalta Edomite), kjo mundësi përfshinte po ashtu potencialin për të gjeneruar fitime shumë të mëdha nga prodhimi i bakrit që rrethohej nga një zonë e sigurtë tregtie në periudhën që pasoi kolapsin e kontrollit qipriot të kësaj industrie. Këto pika janë baza për shembujt më poshtë që demontrojnë disa nga implikimet e interpretimit të shoqërive të fazave të hershme të Edom, Moab dhe Izraelit antik si nomadike polimorfe, ndërsa merret parasysh mundësia se ato krijuan njësi politike të fuqishme ,edhe më parë se të realizonin sedentarizimin e plotë.

3. Edomi i hershëm: Një rast i veçantë i Nomadëve me Vizibilitet të Lartë Arkeologjik

Përfshirja e shoqërisë së hershme nomadike të Edomit me prodhimin e bakrit krijoi një situatë unike që mundëson hetimin të plotë. Nxjerrja dhe shkrirja e mineralit kanë lënë mbetje arkeologjike që dëshmojnë për një shoqëri të centralizuar, hierarkike që ishte e aftë të mbështeste një industri në shkallë të madhe(një arritje që deri në rishikimin e fundit kronologjik i atribuohej perandorive egjiptiane dhe asire), të mbronte rrjetin tregëtar të bakrit dhe të mbante stabilitet përqark kufijve të vet. Shfaqja e kësaj njësie politike nomadike ndodhi deri diku shpejt pas tërheqjes egjiptiane nga rajoni Timna gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 12-të p.e.s, kur fiset lokale nuk ishin më nën kontrollin e ndonjë force të jashtme. Ndërsa ka gjasë që përvoja e punës nën egjiptianët, lehtësoi jetësimin e institucioneve politike në sistemin politik fisnor lokal përmes imitimit, duket se procesi i konsolidimit politik dhe funksionimit të brendshëm në njësitë e hershme Edomite, ishte thuajse i pavarur nga të nguliturit dhe se gjatë Hekurit të Hershëm, ky entitet politik ishte një fuqi gjeopolitike dominuese që udhëhoqi proceset në shoqëritë sedentare fqinje.

Sa i përket çështjes metodologjike në shqyrtim, diskutimi për zgjatimin gjeografik të Edomit të hershëm, që është i përmbytur nga mbetjet arkeologjike, është ndriçues. Përpara kronologjisë së rishikuar të industrisë së bakrit të Aravah dhe kuptimit të ri se nomadët mund të kenë krijuar njësi politike me ndikim historik, ata që po kërkonin për një Edom të Hekurit të Hershëm, hasën në një problem, teksa gërmimet dhe vëzhgimet në Rrafshnaltën Edomite nuk gjetën ndonjë mbetje domethënëse nga kjo periudhë. Zgjidhja ishte ose të hidhej poshtë mundësia se ka ekzistuar një njësi politike edomite përpara se të niste sedentarizimi në Rrafshnaltën Edomite gjatë Hekurit të Vonë, ose të shkoje kundër nocionit prevalues se Edomi i hershëm ishte i kufizuar në rajonin e quajtur sot Rrafshnalta Edomite dhe të sugjerohej vendi më i afërt me të dhënat konkrete arkeologjike – lartësitë e Negevit – si vendndodhje e kësaj njësie politike e Hekurit të Hershëm.

Arsyetimi referuar kryesisht në mbetjet e dukshme ka vazhduar edhe pas pranimit në masë të madhe të faktit se industria e bakrit në Aravah nisi në Hekurin e Hershëm. Me sa duket, në diskursin arkeologjik ngasja nga e prekshmja ka qenë kaq e fortë saqë edhe arkeologë që janë të vetëdijshëm për problemin e gjurmimit të nomadëve në të dhënat arkeologjike dhe njohin karakteristikat polimorfe të shoqërive antike nomadike, nuk mund të shmangin grackën e të dhënave pozitive. Finkelstein p.sh nënvizon “historitë kontadiktore” të Luginës së Aravah dhe Lartësive Edomite dhe rindërton një kolaps të njësisë politike nomadike në fund të shekullit të 9-të p.e.s. Në të vërtetë kjo bazohet mbi mbetje të gjurmueshme arkeologjike; për periudhën e prodhimit të pandërprerë të bakrit në Wadi Faynan dhe Luginën Timna(fundi i shekullit të 12-të – fundi i shekullit të 9-të p.e.s.)të dhënat arkeologjike në Rrafshnaltën Edomite janë të papërfillshme dhe periudha menjëherë pas fundit të prodhimit të bakrit(fundi i shekullit të 9-të p.e.s.) nuk përfaqësohet nga ndonjë mbetje thelbësore arkeologjike në të gjithë rajonin.

Megjithatë, ka një mënyrë tjetër për të interpretuar të njëjtën evidence arkeologjike dhe është befasuese që ajo bazohet mbi argumentet që vetë Finkelstein parashtroi në vitet ’90. Nisur nga fakti se mbetjet arkeologjike përfaqësojnë një shoqëri polimorfe që ishte në thelb nomadike, është më e mundshme që dallimet sinkronike dhe ndryshimet diakronike të reflektojnë faktorë të ndryshëm që i bëjnë nomadët arkeologjikisht të dukshëm, më tepër sesa shpërndarjen e saktë gjeografike të popullsisë apo proceset sociale që domosdoshmëriosht përfaqësojnë një rritje apo rënie të kompleksitetit social.

Për ta nisur, një faktor kryesor i tillë është i lidhur me ekonominë e shoqërisë së hershme Edomite. Është sepse fiset e hershme edomite u angazhuan në prodhimin e bakrit dhe ne dimë për praninë e tyre në Luginën Aravah. Mbetjet arkeologjike konsistojnë në site të shkrirjes dhe nxjerrjes, që janë qartazi të kufizuara nga zonat e xeherorit të bakrit. Vendbanimet, pra kampet e tendave, mungojnë thuajse tërësisht nga panorama e tanishme arkeologjike(disa u identifikuan në Faynan nga vëzhgime të posaçme dhe datimi i tyre bazohet kryesisht në afërinë e tyre me qendrat e shkrirjes së Epokës së Hekurit). Është pra e qartë se e dhëna e veçantë arkeologjike e shfrytëzimit të bakrit nuk mund të përdoret drejtpërdrejt për të delineuar zgjerimin gjeografik të njësisë politike edomite. Është po ashtu evidente se një ndryshim në ekonominë e saj – në çdo gjë veçse bakrit, përfshirë bujqësinë dhe tregtinë – do ta bënte atë detyrimisht të padukshme në aspektin arkeologjik. Një tjetër faktor i rëndësishëm është i lidhur me situatën gjeopolitike.

Ndryshimi i rrethanave mund të shkaktojë shfaqjen dhe zhdukjen e elementëve mbrojtës prej guri, shenjues gjeografikë dhe tipare të tjera që janë drejtpërdrejt të lidhura me vizibilitetin arkeologjik të fiseve nomade. Në këtë dritë, mund të kuptohet dukuria e siteve në Lartësitë Negev që është e lidhur, sipas të dhënave të fundit, me shoqërinë e Luginës Aravah. Këto site kanë qenë asociuar herët me nomadët, që në fillim të kërkimeve në rajon. Megjithatë, në vend se thjesht të supozohej se ato përfaqësojnë një proces sedentarizimi, ne duhet me gjasë t’i shohim ato si struktura “permanente” të banorëve kalimtarë që reflektojnë një përgjigje ndaj nevojës për të delineuar dhe mbrojtur një zonë tregtie në të cilën kontaktet me njerëzit nga zonat e ngulitura ishin të shpeshta. Kjo shpjegon mirë praninë e të ashtuquajturave “fortesa” apo “ndërtime të mbyllura” në të cilat elementët mbrojtës janë të theksuar, njësoj si vëzhgime të tjera që kanë të bëjnë me këto site(p.sh frekuenca e lartë e qeramikës veriore, mungesa e evidencave bujqësore dhe më tej). Në çdo rast, një ndryshim në rrethanat gjeopolitike mundet lehtësisht ta ketë bërë shoqërinë në Lartësitë e Negevit, të padukshme në aspektin arkeologjik sërish(lëvizja përgjatë kontinuumit nomadik-sedentar nuk është e kufizuar në një drejtim), pa reflektuar detyrimisht në strukturën e vet politike apo kompleksitetin social.

Me këtë kuptim, është e mundur të rindërtohet një politi nomadike që ushtron kontroll mbi të gjithë luginën Aravah, Lartësitë Negev dhe Rrafshnaltën Edomite. Dallimet në të dhënat arkeologjike mes secilit prej këtyre rajoneve janë esencialisht rezultat i pasqyrimit të deformuar dhe të fragmentuar arkeologjik më tepër sesa “historive kontradiktore” reale. Nuk ka arsye të supozohet se në Rrafshnaltën Edomite kishte pak nomadë gjatë periudhës së Hekurit të Hershëm dhe ka më shumë gjasa që këta nomadë të ishin inkorporuar në sistemin socio-politik të njësisë politike që po shfaqej, si pjesë e përpjekjeve për të stabilizuar rajonin dhe mbështetur përparimin ekonomik. Në mënyrë të ngjashme, kur industria e bakrit në Aravah, arkeologjikisht shumë e dukshme, mori fund në fundin e shekullit të 9-të p.e.s. nuk pati “kolaps” të kësaj politie nomade, por më tepër një tranzicion të parashikueshëm drejt një faze arkeologjikisht më pak të dukshme. Ndryshimi në ekonominë e njësisë në fjalë, që ishte rezultat i forcave të jashtme, ishte padyshim dramatik; megjithatë ai nuk mund të përkthehet drejtpërdrejt në shndërrime socio-politike.

Janë të shumtë faktorët që mund ta kenë bërë më të lehtë këtë zhvendosje ekonomike, më të lehtë nga sa sugjeron në dukje arkeologjia, përfshirë aktivitetin e hershëm të politisë edomite në tregti me Arabinë jugore dhe përtej, një aktivitet që po jetësohej tashmë paralel me industrinë e bakrit. Ndërsa është e pamundur të vlerësohet kontributi relativ i kësaj praktike “të padukshme” në tërësinë e ekonomisë edomite, ka gjasë se ndryshimi i detyruar ekonomik rezultoi në intensifikimin e saj, që në këmbim kompensoi deri diku humbjen e të ardhurave nga industria e bakrit. Incidentalisht, ky proces ndoshta diktoi vendndodhjen e qendrës kryesore sedentare në politinë Edomite(Bozrah), që u shfaq në ndërprerjen mes Rrugës së Mbretit dhe Naqeb Dahal, rruga kryesore që lidh lartësitë me Aravah, lugina Beer-sheba dhe përtej.

Ngulimet sedentare në rrafshnaltë së pari u shfaqën vetëm gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 8-të p.e.s. Ato përfaqësojnë një proces gradual sedentarizimi në të cilin një pjesë e caktuar e shoqërisë polimorfe u ngulit në qytete dhe fshatra të vegjël, ndërsa një pjesë tjetër, përmasa e së cilës është e pamundur të vlerësohet, ruajti mënyrën nomadike të jetës. Është e mundshme se një komponent josedentar vazhdoi të ekzistonte përgjatë historisë së Mbretërisë Edomite dhe në përputhje me kufijtë territorialë të kësaj mbretërie, ajo mund të ketë qenë përhapur në rajone për të cilat mungon evidenca arkeologjike.

Rindërtimi i mësipërm historik për Edomin e hershëm, që merr parasysh cilësinë e ndryshme të të dhënave arkeologjike për nomadët dhe shmang luhatjet kontradiktore në vizibilitetin arkeologjik me shkallë ndryshimi të kompeksitetit social, zgjidh disa vështirësi interpretative për rindërtime që marrin shkas nga peizazhi arkeologjik. P.sh, sipas rindërtimit të tanishëm, nuk ka patur një hendek politik mes fundit të prodhimit të bakrit në fundin e shekullit të 9-të p.e.s. dhe fillimit të sedentarizimit në rrafshnaltë më shumë se gjysmë shekulli më vonë, një skenar që është përputhje me përshkrimin asir të fillimit të shekullit të 8-të p.e.s. së një mbretërie edomite në rajon. Interpretime alternative, që i përmbahen evidencave pozitive arkeologjike, si rindërtimi i një kolapsi të “politisë së bakrit në shkretëtirë” në fund të shekullit të 9-të p.e.s. dhe shfaqja e një politie të re(Edom) në fundin e shekullit të 8-të p.e.s. gjenerojnë një mosdakordësi me të dhënat historike. Meqë jemi këtu, ky hendek në dukje është ndoshta arsyeja kryesore për vështirësinë që kanë disa studiues në identifikimin arkeologjik të Edomit në Hekurin e Hershëm në Luginën Aravah dhe Lartësitë e Negevit. Në lidhje me këtë, megjithatë vijueshmëria socio-politike ka interpretim më të thjeshtë sesa çdo tjetër që duhet të shpjegojë një shfaqje të papritur të “Edomitëve” në fillim të shekullit të 8-të p.e.s. dhe marrëdhënien e kësaj popullsie me politinë e “rrëzuar”.

4. Moabi i Hershëm: Një “fotogafi” e një Mbretërie Nomade?

Njësoj si në studimet mbi shfaqjen e Mbretërisë Edomite, edhe në rastin e Moabit të hershëm, kërkimi është bazuar mbi presupozimin themelor se një shoqëri e ngulitur është parakusht për krjimin e një mbretërie(ose për atë punë çdo lloj politie territoriale me ndikim historik). Në pëputhje me këtë parim, studiuesit kanë “luftuar” me të dhënat e pakta arkeologjike në Moab, që i përkasin Bronzit të Vonë dhe Hekurit të Hershëm. P.sh, J. Maxwell Miller konkludon vëzhgimin e tij të provave të disponueshme me këto fjalë:

(…)kam sfiduar nocionin e monarkie të Madhe Moabite të Hekurit të Hershëm. Pjesa kryesore e sfidës sime, padyshim që përfshin “argument pa mbështetje historike(argumentum ex silentio)”. Por kjo, në fund të fundit, është çështja – burimet tona të informacionit nuk thonë gjë, apo të paktën, janë shumë më ambivalente sesa supozohet përgjithësisht

Edhe më kritikë ndaj “ambivalencës” së provave të Bronzit të Vonët dh Hekurit të Hershëm, janë Finkelstein dhe Lipschits. Ata argumentojnë se sitet më të hershme të datuara në rajon, i përkasin Hekurit të Vonë I(fundi i shekulli 11-10 p.e.s. nga kronologjia e poshtme që ata adoptojnë) dhe në përputhje me këtë “entiteti i parë territorial moabit” u shfaq vetëm gjatë asaj periudhe. Ky entiet ishte jetëshkurtër, ai mori fund në fundin e shekullit të 10-të p.e.s. me braktisjen e siteve të Epokës së Hekurit I. Sipas këtij rindërtimi, u desh disa kohë përpara sesa një tjetër politi, e ndryshme, të shfaqej afër kohës së mbretit Mesham në gjysmën e dytë të shekullit të 9-të p.e.s.

Lidhur me çështjen metodologjike në shqyrtim, është shumë ndriçues të diskutohet propozimi i Finkelstein dhe Lipschits vis – a – vis një rindërtim që merr parasysh kuptimin e ri se nomadët mund të kenë krijuar njësi të fuqishme politike pa lënë shumë gjurmë në të dhënat arkeologjike. Duhet vënë re se ndonëse larg të paturit konsensus mes studiuesve, ajo megjithatë ngërthen çështje metodologjike që janë të përbashkëta për të gjitha qasjet në studimin e Moabit të hershëm dhe në këtë kuadër sillet këtu si një shembull i një praktike paradigmatike më të gjerë, në fakt gjithëpërfshirëse. Pikënisja e rindërtimit alternativ historik qëndron mbi nocionin e pranuar gjerësisht se, ngjashëm me njësi të tjera rajonale të Epokës së Hekurit, edhe Moab kishte një origjinë nomadike, agro-pastorale. Bazuar mbi provat nga Edomi fqinj, është shumë e mundshme që fiset e Moabit u konsoliduan në një politi territoriale që gjatë Hekurit të Hershëm I, në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj ndryshimit të rrethanave gjeopolitike në fund të Epokës së Bronzit.

Mesa duket, qëkurse nuk u përfshi në prodhimin e bakrit, politia nomadike moabite është më pak e dukshme në të dhënat arkeologjike sesa bashkëkohësja e vet edomite. Është e mundshme që Balu Stela që paraqet një lider Shasu në një skenar egjiptian, apo të egjiptianizuar, pasqyron këtë stad, apo edhe një më të hershëm. Finkelstein dhe Lipschits e hedhin poshtë këtë mundësi, duke bërë të qartë supozimin e tyre bazë sipas të cili një shoqëri nomadike nuk mund të ketë patur ndonjë rol domethënës në historinë e rajonit(pavarësisht njohjes prej tyre të identifikimit të “Shasu”):

Shumica e studiuesve e kanë datuar stelën në kohën e Dinasitisë së 19-të ose të 20-të…Megjithatë një datim i tillë është i pamundur në dritën e mungesës së ndonjë të dhëne për aktivitetin sedentar në Moab në përgjithësi dhe në Khirbet Balu’a në veçanti, në atë kohë; të dhënat arkeologjike nga rajoni lejojnë datimin e stelës jo më herët sesa shekulli 11-të p.e.s.

Ata propozojnë më tej asocimin e stelës me Dinastinë e 21-të dhe sitet e periudhës jetëshkurtër të Epokës së Hekurit I në Moabin e Jugut. Këto site janë në të vërteë me rëndësi në peizazhin arkeologjik të rajonit; disa ishin raportuar tashmë nga Nelson Glueck dhe shumë prej tyre kanë marrë interes për gërmime. Ato përfshijnë sitin qendror të Balu’a dhe disa site të quajtur “Mudayana” dhe janë më së shumti të përqendruar në jug të Mujib. Shumë prej tyre kanë karakteristika të ngjashme(topografi, planimetri, arkitekturë)dhe të gjitha kanë element të mbrojtjes, nga muret e strehimit në lokacionin e kujdesshëm të zgjedhura mbi zgjatime toke. Megjithatë, më tepër sesa prezantim ngritjen dhe rënien e një “entiteti territorial” që ekzistonte për pak kohë, këto site me gjasë pasqyrojnë një përgjigje të popullsisë nomade ndaj nevojës për mbrojtje gjatë një periudhe me destabilizim të shtuar.

Një pjesë e shoqërisë nomadike në të vërtetë kaloi për një porcesi të shkurtër  dhe të kthyeshëm sedentarizimi, që është tërësisht i asociuar me site të mbrojtura mirë që shërbenin po ashtu si vende grumbullimi për një popullsi më të madhe në kohë tensioni. Rezultati është një “fotografi arkeologjike” e një politie territoriale që ekzistonte para dhe pas kohës kur disa rrethana shtuan përkohësisht vizibilitetin arkeologjik të një shoqërie polimorfe. Është e mundshme që periudha e rritjes së vizibilitetit arkeologjik në Moab është e lidhur me tregtinë e bakrit dhe në veçanti me një domimin të rrugës veriore(përmes Rrugës së Mbretit) gjatë asaj kohe.

Sipas këtij skenari, arkeologjia reflekton një nevojë për delineimin dhe mbrojtjen së një zone tregtare në pjesën jugore të Moab(në kufi me Edom) ku kontaktete me popuj “të huaj” ishin të shpeshta. Kjo është e ngjashme me situatën në pjesë veriperëndimore të Edomit gjatë Epokës së Hekurit IIA. Diferencat në datimin e siteve tampon moabite dhe edomite mund të refelektojë një diversion të fluksit kryesor të bakrit drejt perëndimit, që pasoi fushatën e Shoshenq I në rajon.

Ngjashëm me rastin e Edomit, shoqëria e Moabit me gjasë kishte një komponente nomadike të përmasave të ndryshme, kjo përgjatë Epokës së Hekurit, ndonëse procesi i sedentarizimit aty nis më herët. Është argumentuar se të paktën për fazën e hershme të Moabit, nga Stela e Balu’a, apo më herët, në periudhën e Meshës, interpretimet që bazohen mbi kuptimin e ri të potencialit politik të nomadëve, ofrojnë një zgjidhje më të mirë dhe koherente sesa ato që bazohen mbi kërkimin për ngulime dhe interpretimet e të dhënave të tyre erratike.

5. Izraeli i Hershëm:  A kemi kërkuar mirë?

Parimi i vizibilitetit arkeologjik vlen edhe për kërkime në Izraelin antik. Siç u vu re më sipër, origjina  nomade tribale e izraelitëve është e pranuar gjerësisht. Megjithatë, ka një prirje në kërkime për të rindërtuar një proces ultra të shpejtë sedentarizimi dhe për të identifikuar sitet jetëshkurtra të Epokës së Hekurit I të vendit kodrinor me të gjithë popullsinë e hershme izraelite. Mundësia tjetër, e një procesi të ngadaltë shumë brezash sedentarizimi të një shoqërie polimorfe që kishte komponentë substancialë nomadikë edhe gjatë periudhës së hershme monarkike, nuk është konsideruar asnjëherë seriozisht. Kjo është rezultat i disa faktorëve, përfshirë perceptimin e rrafshët që dominon për nomadët e që u fol më sipër, që kontraston me nomadizmin me një monarki(apo për atë punë çdo lloj politie).

Një tjetër faktor ka të bëjë me historinë e kërkimit. Zbulimi i këtyre siteve “izraelite” nga arkeologë izraelitë, pas luftës së vitit 1967, ishte pjesë e një kërkimi më të gjerë për një të shkuar të prekshme të kombit të ri të Izraelit. Eksitimi që shoqëroi këtë zbulim, bashkuar me aspiratën natyrale për të siguruar rolin e arkeologjisë brenda diskursit të studimeve biblike, çoi më tej në qasjen që ngulitet në evidencën pozitive; duke pranuar se pjesa e luanit në ngjarjet historike është përtej kërkimit arkeologjik, ky nuk mund të ishte një qëndrim i arkeologëve që i kanë dedikuar karrierën akademike ndërtimit të narrativave historike nisur nga copëza qeramike, madje edhe ata që e njohin kompleksitetin e arkeologjisë së shoqërive polimorfe.

Supozimi se e gjithë popullsisa e Izraelit(apo “proto-izraelitët) është arkeoogjikisht e dukshme duke nisur që nga Epoka e Hekurit të Hershëm I, është baza për për rindërtime ekonomike, demografike dhe politike. Është po ashtu bazë për përdorimin e monumentalitetit dhe tipareve të tjera të ngulimeve në vlerësimin e historicitetit të Monarkisë së Bashkuar. Megjithatë, kuptimi i ri që u njeh nomadëve rolin dhe aftësinë në krijimin e njësive politike të fuqishme pa lënë shumë gjurmë në të dhënat arkeologjike, së bashku me mundësinë se segmente të mëdha të popullsive të hershme izraelite janë arkeologjikisht të padukshme sot, i vë në pikëpyetje rindërtimet historike bazuar mbi arkeologjinë. Është e qartë se paradigm interpretative dominuese ka një paragjykim inherent në favor të shkollës “më kritike” teksa nuk merr në konsideratë mundësinë që arkeologjia nuk mundet të reflektojë një pjesë substanciale të panoramës historike dhe kështu mungesa e provave në mënyrë të pashmangshme konsiderohet si provë për mungesën.

Shembuj të rindërtimeve potencialisht të deformuara janë të shumtë. Vlerësimi i Finkelstein dhe Silberman për 5000 njerëz në shekullin e 10-të p.e.s. në Judea është baza për vlerësimin e tyre se nuk ka patur një “Monarki të Unifikuar” përderisa ky numër është shumë i vogël për të mbështetur qenien e një shteti. Ngjashëm me këtë, një e dhënë më e theksuar arkeologjike në veriun kodrinor, që ndoshta reflekton se çdo gjë tjetër një proces më të shpejtë sedentarizimi, i dha shtysë nocionit  në modë se (veriu) Izraeli ishte i pari shtet “real” që u zhvillua ndonjëherë në rajon dhe se ai entitet verior kishte një superioritet rajonal që herët, që në ditët e Saulit. Shumë rindërtime të tjera historike meritojnë të rikonsiderohen; në fakt të gjitha interpretimet e tanishme, përfshirë ato të paraqitura nga shkollat “më konservatore” duhet të korrigjohen e të marrin parasysh në mundësitë e asaj që është arkeologjikisht e padukshme sot, se ne e dimë tani se ishin pjesë e realitetit të Epokës së Hekurit të Hershëm në Levantin e Jugut.

Kjo shkon përtej synimit të kësaj trajtese; këtu ne mjagtohemi me nënvizimin e defekteve metodologjike që dominojnë sot, si një pikënisje për një diskutim të ri mbi shfaqjen e Izraelit antik në të cilën roli i vetë arkeologjisë duhet të rishikohet, sidomos vis-à-vis me studimet biblike. Është kruciale të njihet dhe të jemi të vetëdijshëm për kufizimet e arkeologjisë në rindërtimet historike që përfshijnë shoqëri me komponentë nomadikë dhe t’i rezistohet ngasjes së pozitives dhe objektivitetit të saj në dukje.