Një vajzë 15 vjeçare nga fshati Sellcë i Tetovës, ka ndërruar jetë prej komplikimeve të Kovid – 19. Nga Ministria e Shëndetësisë informuan se, pacientja ka ndërruar jetë në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup, ndërsa paraprakisht kishte ndërruar jetë edhe nëna e saj nga Covid – 19, transmeton Portalb.mk.

“Ministria e Shëndetësisë me keqardhje të madhe informon se, në Klinikën për Sëmundje Infektive ka ndërruar jetë një paciente 15 vjeçare nga fshati Sellcë nga Tetova. Pacientja me pasqyrë shumë të rëndë klinike është sjellë në Klinikën Infektive, pasi 13 ditë më parë ka qenë me simptoma të sëmundjes. Para se të mjekohet në spital, pacientja ka pasur shtrëngime 10 ditë. Sipas raportit mjekësor, bëhet fjalë për rast jashtëzakonisht të rëndë, me formë të vështirë të zhvilluar të sëmundjes, pacientja është me obezitet. Anketa epidemiologjike është pozitive, përkatësisht sipas deklaratës së babait të pacientes, nëna e saj ka ndërruar jetë nga Covid – 19”, njoftuan nga ministria.