Saktë para një viti kryeministri i dekadës në Maqedoni, Nikolla Gruevski, dha dorëheqje nga posti i kryeministrit. Dorëheqja ishte pjesë e Marrëveshjes së Përzhinos, sipas së cilës duhej që një qeveri kalimtare t’i organizojë zgjedhjet që ishin planifikuar për 24 prill.

 

“Ky është një hap i rëndësishëm për besimin tim tek ju, qytetarët të Maqedinisë. Plani im është të jem çdoherë afër jush, të ndajmë ide, plane dhe hapa që çfarë të bëjmë së bashku në të ardhmen. Unë besoj në ju dhe në Maqedoninë”, deklaroi Gruevski në fjalimin që e paralajmëroi dorëheqjen, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Për pasardhës të tij Nikolla Gruevski, përzgjodhi sekretearin gjeneral të OBRM-PDUKM-së, Emil Dimitriev, i cili duhej t’ia ruan vendin deri në zgjedhje. Por, zgjedhjet nuk u mbajtën më 24 prill për shkak se sipas opozitës nuk ishin plotësuar kushtet e definuara në Marrëveshjen e Përzhinos.

Data e ardhshme për mbajtje e zgjedhjeve u caktua 5 qershori, mirëpo për shkak të situatave turbulente që krijoi Prokuroria Speciale, asnjë parti përveç OBRM-PDUKM-së nuk dorëzoi listat e deputetëve në KSHZ.

Përfundimisht zgjedhjet u mbajtën më 11 dhjetor të cilat i realizoi qeveria teknike, që vazhdon të jetë akoma udhëheqsja e vetme e Maqedonisë. Një vit pasi dha dorëheqje Nikolla Gruevski nuk ka arritur të kthehet në pozicionin e kryeministrit./Telegrafi