Kreu i Komisionit për Çështje Evropiane të Bundestagut gjerman, Ginter Krihbaum, i njohur në opinionin shqiptar dhe si njeriu anti-Rama në politikën gjermane, është fokusuar së fundit të sqarojë se Serbia e Kosova janë të “dënuar” edhe nga BE, për një zgjidhje përfundimtare, në funksion të integrimit dhe të së ardhmes së rajonit në paqe.

“Historikisht, Bashkimi Evropian është kryesisht një projekt i paqes. Prandaj, ne nuk duam dhe nuk do lejojmë konflikte të pazgjidhura dypalëshe”, tha njeriu i Merkelit, duke folur për serben Politika.

“Kjo është kryesisht detyrë e të dy vendeve, dhe BE-ja e Gjermania do t’i mbështesë ato në këtë mision sa herë të kërkojnë mbështetje”, tha kryetari i Komisionit për çështje evropiane të Bundestagut, duke shtuar se “vetëm kështu të dy vendet mund të realizojnë perspektivën e tyre evropiane”.

“Bashkimi Evropian është i vetmi partner i Ballkanit Perëndimor duke marrë parasysh stabilitetin rajonal dhe të ardhmen të begatë të njerëzve në këtë rajon”, shtoi Krihbaum.