Një sasi ekzplozivi është shpërthyer në mënyrë të kontrolluar në Oslo të Norvegjisë, teksa autoritetet nuk kanë përjashtuar asnjë pistë, e madje as atë të një sulmi të mundshëm terrorist. Autoritetet kanë shoqëruar në polici një të dyshuar, por ende nuk kanë zbardhur detaje rreth asaj që ka ndodhur. Ngjarja vjen vetëm dy ditë pas sulmit terrorist në Suedi, ku mbetën të vrarë katër persona dhe u plagosën mbi 15 të tjerë.

Autoritetet norvegjeze kanë mundur që të parandalojnë shpërthimin e një sasie eksplozivi në qendër të kryeqytetit Oslo, teksa ngjarja ka shkaktuar panik në rradhët e qytetarëve.

Kanë qenë pikërisht këta të fundit që lajmëruan policinë në momentin kur panë një pako të dyshimtë, ndërsa në vendngjarje mbërritën menjëherë forca të shumta sigurie si dhe njësitë speciale të çaktivizimit të bombave.

Autoritetet formuan menjëherë një perimetër sigurie dhe më pas kanë kryer një shpërthim të kontrolluar. Forcat e sigurisë bënë të ditur se kanë shoqëruar në polici një të dyshuar, i cili mendohet se ka përgatitur gjithçka.

Aktualisht, ai po merret në pyetje, ndaj për të mësuar më shumë rreth asaj që ka ndodhur do të duhet të pritet për një komunikatë të dytë nga zyrtarët. Deri më tani, hetuesit nuk kanë përjashtuar asnjë pistë, përfshirë atë të një sulmi terrorist.

Ngjarja në Norvegji, erdhi vetëm dy ditë pasi një tjetër vend skandinav si Suedia u godit nga një sulm terrorist, ku një person drejtoi me shpejtësi të lartë një kamion në Stokholm duke vrarë katër qytetarë të pafajshëm, ndërkohë që 15 të tjerë mbetën të plagosur.

Megjithatë, ende nuk mund të konfirmohet nëse bomba e montuar në Oslo, ishte një sulm terrorist i mbetur në tentativë.

Autoritetet kanë bërë të ditur se gjatë orëve në vijim do të sqarojnë më shumë të dhëna rreth ngjarjes.