Nuk ka patur një “mrekulli greke” në ndeshjen e dytë të “play-off”-it të Botërorit “Rusi 2018” për zonën e Evropës, pasi helenët janë ndalur sonte në një barazim pa gola në fushën e vet përballë Kroacisë. Në një takim ku vendasit kanë provuar, por nuk kanë bërë aq sa duhet, kanë qenë miqtë që kanë bërë atë që u duhej, duke ruajtur të paprekur atë fitore të thellë, 4-1, që patën arritur në ndeshjen e parë në Zagreb përballë grekëve. Kroatët kanë regjistruar edhe një rekord të veçantë, pasi janë kualifikuar për herë të 5-të nëpërmjet “play-off”-eve për një fazën finale të një veprimtarie madhore të futbollit. Duke patur nevojë të përmbyste një deficit prej 3 golash, Greqia ushtroi që në fillim presion për të gjetur një gol të hershëm në sfidën e luajtur në Stadiumin “Karaiskakis”. Sidoqoftë, përpjekjet e para të Anastasios Bakasetas dhe Sokratis Papastathopulos nuk e vunë edhe aq në provë portierin kroat, Danijel Subashiç. Madje ishin miqtë që iu afruan mjaft golit në minutat e fundit të pjesës së parë, kur Ivan Perishiç goditi zgjuarsisht nga larg, por topi rroku shtyllën e majtë pingule të portierit Karnezis dhe u kthye në lojë. Greqia vijoi ta kërkonte golin, po pa e gjetur atë, ndonëse Konstantinos Mitroglu pati një rast të mirë në fillimin e pjesës së dytë, ndërsa edhe i sapofuturi Dimitrios Pelkas e gjeti rrugën e rrjetës së portës kroate, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Kështu, pas Zvicrës, edhe Kroacia ka siguruar në Pire, për herë të 5-të në historinë e saj, vendin në festivalin më të madh futbollistik në planet, që mbahet vitin e ardhshëm në Rusi. Sikundër të gjitha ndeshjet e “play-off”-it, edhe kjo sfidë u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, që do të sjellë, pas miqësores së Kombëtare me Turqinë, edhe sfidën e mbrëmjes, Itali-Suedi, që nis në ora 20:45.