Demokraci Plus ka kërkuar kufizim të numrit të zëvendësministrave në dy, për çdo ministri.

Demokraci Plus thekson se sot bëhet një muaj nga zgjedhja e Qeverisë Hoti, brenda së cilës periudhë janë emëruar 46 zëvendësministra në kuadër të 16 ministrive.

Numri i zëvendësministrave për ministri shkon nga një deri në pesë, por që ky numër pritet të rritet duke pasur parasysh që si proces nuk është përmbyllur ende.

Nga numri i përgjithshëm i zëvendësministrave të emëruar, vetëm 7 janë gra apo 15% dhe 39 burra apo 85%, raporton Telegrafi.

“Gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, LDK përmes kandidates së saj për kryeministre, ka nënshkruar Deklaratën e Zotimeve për Qeverisje të Mirë të hartuar nga Demokraci Plus. Përmes kësaj deklarate, LDK është zotuar në kufizimin e numrit të zëvendësministrave në maksimumi dy për ministri. Ky ka qenë edhe premtim elektoral, të cilin kërkojmë nga LDK si udhëheqëse e Qeverisë që t’i përmbahet. Kufizimi i numrit të zëvendësministrave, përveçse do të reduktojë shpenzimet financiare në këtë kohë të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, ne besojmë se do të ndikojë edhe në rritje të efikasitetit të qeverisë, eliminimit të praktikës së punësimeve klienteliste, dhe vet ruajtjes së integritetit të pozitës së zëvendësministrit e cila po devalvohet nga emërimet e personave të pakualifikuar dhe mbipopullimit”, thuhet në njoftim.

Demokraci Plus kërkon: të mos emërohen më shumë se dy zëvendësministra për ministri; mos të ketë zëvendësministra nga subjekti politik i njëjtë me ministrin; të mos ketë zëvendësministra nga i njëjti subjekt politik brenda një ministrie; zëvendësministrat të kenë portofol të caktuar; zëvendësministrat të jenë persona me integritet të lartë profesional dhe moral; të garantohet përfaqësim i barabartë gjinor për pozitat e zëvendësministrave; të publikohen me kohë të gjitha vendimet për emërime të zëvendësministrave; të azhurnohen të gjitha ueb faqet e ministrive me emrat dhe të dhëna biografike për zëvendësministrat.