Sëmundja e coronavirusit ua ka marrë jetën 814 personave, duke e tejkaluar sëmundjen e rrezikshme SARS, ndërsa regjimi komunist në Kinë, ka urdhëruar grumbullimin e të sëmurëve në Wuhan në kampet e caktuara.

Gjatë viteve 2002 dhe 2003, sëmundja SARS i ka mbytur 774 persona, ndërsa sëmundja e re e njohur si coronavirus, që është një tjetër virus që besohet që ka ardhur prej kafshëve, e ka tejkaluar numrin e këtyre vdekjeve.

Meqenëse shumë të sëmurë po qëndrojnë në shtëpi, duke mos dashur të kontrollohen dhe po refuzojnë të shkojnë në kampet ku mbahen të sëmurët në karantinë, Pekini zyrtar ka urdhëruar që ata të merren edhe me forcë, nëse është e nevojshme.

Në pamjet e shpërndara, shihen forcat e rendit të veshur me uniforma speciale, derisa i arrestojnë dhunshëm të sëmurët, disa prej tyre edhe duke i tërhequr zvarrë.

Derisa në filmimin e fundit, shihen policët që kishin vetëm maska të thjeshta në fytyrë, teksa i viheshin pas një burri të sëmurë me coronavirus.

Të dhënat e fundit në kohë reale në Worldometers, tregojnë se deri më tani 814 njerëz kanë vdekur nga coronavirusi, derisa 37,594 janë të sëmurë.