Këshilltari i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Adri Nurellari ka theksuar se përfaqësimi politik i shqiptarëve të Malit të Zi në nivel qendror ka rënë dukshëm.

Ai në emisionin “Debat D”, të RTV Dukagjini ka thënë se shqiptarët momentalisht përfaqësohen nga një deputet në Kuvendin e Malit të Zi, derisa sipas tij, ata janë zyrtarisht pesë përqind e popullsisë së atjeshme.

“Ka mospërputhje në mes përfaqësimit politik dhe numrit të popullatës në atjë pjesë”, ka shtuar Nurellari.

Ai ka folur edhe për mundësinë që shqiptarët ta humbin edhe mundësinë që ta drejtojnë Komunën e Ulqinit, duke theksuar se faktori politik shqiptar atje nuk duhet ta lejojë këtë gjë.

“Humbja e Ulqinit do të ishte një humbje e madhe. Nuk është se nuk e kemi parë më parë se si është asimiluar Plava, Gusia. Tash do të ndodhte një asimilim i butë. Do të ishte një gjë tjetër që vendimarrja për Ulqinin të merrej në këtë qytet, e ndryshe fati i kësaj komune të varej nga Podgorica”, ka thënë Nurellari.