Prej 15 vjetësh tashmë zvarritet ndërtimi i shkollës fillore në fshatin Sellcë të Tetovës. Megjithëse godina e shkollës kishte filluar të ndërtohej në vitin 2001, sipas autoriteteve punimet janë ndërprerë për shkak të rrëshqitjes së dheut. Nga Komuna e Tetovës ndërkaq theksuan se po kërkojnë një vend tjetër që do të jetë i qëndrueshëm.

“Nga ana e bashkësisë lokale dhe këshillit të prindërve na është propozuar një lokacion – nga ana e komunës u bënë analizat e nevojshme për ndërtimin e një shkolle të re mirëpo nga rezultatet që dolën u tregua se edhe në këtë lokacion është toka e rrëshqitshme. Ne si komunë nuk mund të shpejtojmë dhe të bëhet gabimi i njëjtë që u bë në godinën paraprake që është lënë në gjysmë dhe për këtë jemi në kërkim të lokacionit”, tha Ahmed Qazimi, përgjegjës për arsim në komunën e Tetovës.

Ndryshe nga Qazimi, kreu i bashkësisë lokale të fshatit Sellcë thotë se toka është e qëndrueshme që të bëhet ndërtimi i shkollës dhe madje këtë e kishin konfirmuar ekspertët të cilët kishin kryer analizat e nevojshme.

“Është dëm i madh, shumë para u harxhuan dhe as që vijnë këtu ti bëjnë një test shkollës se a mundet apo nuk mundet në këtë shkollë vetëm thjesht arsyetim e kanë se nuk mundet. Disa herë kur kanë ardhur, kam qenë prezent, kanë thënë se mundet dhe i përballon tërmeteve këtyre gjërave tash thonë që nuk mundet”, deklaroi Qani Iseni, Kryetar i BL Sellcë.

Në mungesë ende të një zgjidhjeje, mbi 300 nxënësit e shkollës fillore Rilindja mësimin e zhvillojnë mbi dysheme të lyera me vaj të djegur që për shëndetin e tyre është tejet i rrezikshëm.

“Ne kemi nevojë të madhe për ndërtimin e një shkolle të re, edhe pse vazhdimisht bëjmë përpjekje për krijimin e kushteve, në këto kushte siç jemi që nxënësit mos të kenë vështirësi për ndjekjen dhe zhvillimin e një procesi cilësor të arsimit”, tha Aziz Ramadani, drejtor i Shkollës Fillore “Rilindja” Sellcë.

Shkolla fillore Rilindja e fshatit Sellcë, është ndërtuar në vitin 1953, ndërkohë që, në këtë objekt, mësojnë mbi 300 nxënës. Komuna e Tetovës, këtë vit ka ndërruar disa dritare, por problemi kryesor vijon të mbetet çatia e shkollës e cila pikon mbi kokat dhe librat e nxënësve./Alsat-M