Ashtu siç pritej dhe siç ishte paralajmëruar gjerësisht në opinionin publik, slogani që do të stampohet në autobusin zyrtar të kombëtares shqiptare të futbollit në Euro 2016, do të të jetë një parullë e dashur. “O Sa Mirë Me Qenë Shqiptar”, kaq shumë e kënduar në stadiume sidomos në fushatën kualifikuese që çoi kombëtaren tonë në fazën finale të turneut të kësaj vere, do të jetë prezente në çdo udhëtim të kuqezinjve.

Si për t’i kujtuar mbështetjen e madhe të tifozëve që do të jenë prezentë edhe në vendin transalpin duke nisur nga 10 qershori, mjeti i transportit të seleksionit të Xhani de Biazit do të mbajë parullën që peshon shumë.

“O sa mirë me qenë Shqiptar!” është motoja e grupimit më të madh mbështetës të kombëtares, Tifozëve Kuq e Zi që nga themelimi i tyre dhe ka ndjekur Kombëtaren në të gjitha ndeshjet e saj në shtëpi dhe kudo në Europë prej më shumë se 13 vjetësh.

Kombëtarja e Shqipërisë është pozicionuar në Grupin A, së bashku me vendin organizator, Francën, kombëtaren e Rumanisë dhe atë të Zvicrës, ku luajnë plot gjashtë lojtarë me kombësi shqiptare.

Ndeshja e parë e kuqezinjve do të jetë pikërisht ndaj Zvicrës më 11 qershor. Ndeshja hapëse do të luhet të premten më 10 qershor në stadiumin “Sen Deni”, ndërsa finalja në të njëjtin impiant më 10 korrik.

sloganiii